‘Jeta në Kosovë’ Shfaqi Filmin për Masakrat në Lubeniq, Qyshk, Zahaq e Pavlan

Premiera e dokumentarit me metrazh të gjatë të BIRN-it, “Të Paidentifikuarit”, që hulumton zinxhirin komandues për masakrat në Qyshk dhe Lybeniq, u dha sonte në transmetuesin publik të Kosovës, RTK, në kuadër të emisionit “Jeta në Kosovë”.

Dokumentari më i ri i BIRN-it, me regji të Maria Ristiq, flet në hollësi për krimet e kryera nga forcat serbe në regjionin e Pejës në vitin 1999, dhe përmban dëshmi ekskluzive, si dhe detaje të papublikuara më parë.

Të mbijetuarit shqiptarë të fshatrave Qyshk, Lybeniq, Pavlan dhe Zahaq folën për përvojën e tyre të hidhur në momentet e ekzekutimit.

Në anën tjetër, edhe disa nga kryerësit e krimit flisnin se si i kanë kryer këto krime.

Në debatin pas shfaqjes së filmit regjisorja e filmit, Marija Ristiq, tha se është e rëndësishme që bashkë, si viktimat dhe kryerësit e krimeve, kanë folur për të njëjtat ngjarje dhe se kjo ka zgjuar interesim për publikun serb.

Ristiq shtoi se publiku serb ka dëgjuar shumë nga viktimat në Kosovë dhe ata kanë bërë pyetje nëse kjo është e vërtetë.

“Por kur dëgjoni një serb duke folur për ngjarjet, pastaj audienca serbe bën pyetjet se çfarë në të vërtetë ka ndodhur në Kosovë”, shpjegoi ajo.

Ristiq ka punuar tri vite në mbledhjen e dëshmive të cilat kanë paraqitur disa nga emrat e zyrtarëve të lartë serbë që kishin urdhëruar bartjen e kufomave shqiptare në Serbi.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale, Sevdije Morina lavdëroi dokumentarin dhe guximin për të sjellë së bashku viktimat dhe kryerësit e krimit që flasin për ngjarjet.

Morina tha se prokurorët Kosovarë janë të gatshëm që të merren me rastet e krimeve të luftës prej se është ndryshuar ligji vitin e kaluar për mandatin e EULEX-it.

“Prokurorët vendorë do t’i marrin së shpejti rastet e mëdha, të masakrave të mëdha si ajo e Mejës, nga prokurorët e EULEX-it që ishin kompetentë deri tani për krime lufte”, tha Morina.

Zëvendësi ndërkombëtar i Morinës, Jonathan Ratel tha se EULEX ka qenë i angazhuar në ngjarjen e Qyshkut duke i hetuar të akuzuarit dhe si mision ka kontribuar në ngritjen e aktakuzave në Beograd.

Ratel shtoi se prokurorët kosovarë janë të gatshëm që të merren me rastet e krimeve të luftës dhe EULEX do të ndihmojë financiarisht në trajnimin e tyre.

Ai theksoi se EULEX dhe prokuroria serbe për krime lufte kanë bashkëpunim të mirë dhe duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Kemi nevojë të bashkëpunojmë me Beogradin për këto hetime. Por, ne nuk mund të ekstradojmë ndonjë të dyshuar që jeton në Beograd apo Nish. Nuk është e mundur dhe nuk do të ndodhë”, tha Ratel.

Nëntë ish-anëtarë të Skuadrës 177 të Ndërhyrjes të Ushtrisë Jugosllave u shpallën fajtorë në shkurt të vitit 2014 për vrasjen e mbi 100 civilëve shqiptarë në prill dhe maj të vitit 1999, gjatë sulmeve në katër fshatra në Kosovë – Lybeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaç.

Megjithatë, muajin e fundit vendimi u anulua nga Gjykata e Apelit në Serbi dhe çështja u dërgua për rigjykim.