Jahjaga, Thaçi e Mustafa me Data të Ndryshme të Seancës së Kuvendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga të martën ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës,  Hashim Thaçi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ky takim sipas Zyrës për Informim të Presidencës është bërë që presidentja Jahjaga të njoftohet me përgatitjet për formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, respektivisht konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe krijimin e qeverisë së re.

“Presidentja Jahjaga u njoftua me ecurinë e bisedimeve mes dy partive politike në harmonizimin e programit qeveritar dhe konsolidimin e prioriteteve shtetërore”, thuhet në njoftim.

Presidentja Jahjaga thuhet se ka inkurajuar liderët e dy subjekteve politike që kanë arritur pajtueshmëri ndërpartiake për bashkëqeverisje ndërsa u ka bërë thirrje që brenda këtij muajit të krijohen institucionet.

“Përbrenda këtij muaji të krijojnë institucionet relevante për të kompensuar kohën e humbur në përmbushjen e obligimeve institucionale ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Thaçi e Mustafa thuhet se e njoftuan Presidenten Jahjaga që subjektet e tyre politike dhe grupet punuese për harmonizimin e koalicionit bashkëqeverisës do të jenë të gatshme të ftojnë seancën e Kuvendit të Kosovës për t’i zgjedhur organet e këtij institucioni dhe votuar Qeverinë dhe programin e saj qeveritar më 8 dhjetor 2014.