Jahjaga në Tryezën për Mamografinë Flet për Dhunën ndaj Grave

Në tryezën ku u diskutua roli i mamografisë në zbulimin me kohë të kancerit të gjirit, Jahjaga foli për dhunën në familje.

Duke u lidhur me faktin se secili ka të drejtë për jetë, Presidentja përmendi rastin e vrasjes së Zejnepe Byrtyqi-Berishës nga burri i saj.

“Disa ditë më parë u bëmë dëshmitarë të një krimi mizor i cili i morri jetën nënës së katër fëmijëve nga burri i saj. Pamë historinë të përsëritet, pamë dhe njëherë Diana Kastratin, tashmë të quajtur Zejnepe Bytyçi-Berisha viktimë e dhunës familjare të ushtruar mbi të, vite me radhë,´tha Jahjaga.

Ajo u bëri thirrje institucioneve që ta mbrojnë jetën e atyre që kërcënohen nga dhuna në familje.

“Ne si institucione duhet të angazhohemi më shumë dhe të marrim të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar njëherë e përgjithmonë që dhuna në familje që po merr jetën e qytetarëve tonë dhe po shkatërron të ardhmen e fëmijëve tanë është e papranueshme,” tha Jahjaga.

Dhuna në familje është e patolerueshme, nuk është çështje private, ajo na prek të gjithë ne dhe ajo duhet të dënohet nga ne të gjithë, shtoi Jahjaga.

Në tryezën me temën “Mamografia Mobile – Impakti Sot dhe Nesër” të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Bordi Nacional  për Kontrollin e Kancerit, ministri Imet Rrahmani dha të dhënat e përdorimit të mamografit mobil që u ble me iniciativë të grave deputete.

“Ekzaminimi i mbi 2000 rasteve me mamografin mobil në periudhën 2014-2015 në shumë komuna të Kosovës, fshatra dhe në vendbanimet më të largëta, pa dallim përkatësie etnike apo fetare është storje e suksesit në angazhimin e të gjithëve drejt arritjes së qëllimit kryesor dhe të vetëm të shëndetësisë, që është ruajtja e shëndetit dhe përmirësimi i tij,” tha ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani.

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Ian Braathu tha se shëndeti i grave nuk është vetëm çështje e tyre, por e gjithë shoqërisë.

“Është konstatuar ndërkombëtarisht që 1 në 8 gra preket nga kanceri i gjirit gjatë jetës së saj, Duke ju referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), janë 1.38 milion raste të reja në botë me kancer të gjirit dhe 458 mijë raste në vit që vdesin nga kanceri i gjirit,” tha Braathu.

Ai po ashtu përmendi që ekzaminimet me mamograf mobil në Kosovë i kanë kryer edhe 15% e qytetarëve serbë të Kosovës dhe 9% e qytetarëve boshnjakë.