Ja Vendimi Zyrtar i UEFA-s
UEFA ka bërë zyrtar vendimin e Komisionit Disiplinor me të cilin Serbisë i është dhënë fitorja në ndeshjen kualifikuese ndaj Shqipërisë, të vlefshme për kampionatin evropian të vitit 2016
Në komunikatën e UEFA-së thuhet:
“Organi i UEFA-s për Kontroll, Etikë dhe Disiplinë (CEDB) u takua dje dhe bëri të ditur vendimin me sa vijon pas incidenteve të ndryshme të cilat ndodhën gjatë ndeshjes së Grupit I për Kualifikimet Evropiane ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u luajt më 14 tetor në Beograd.
CEDB-ja vendosi që ta regjistrojë ndeshjen e lartpërmendur si të braktisur. Si pasojë, Federata Shqiptare e Futbollit (FShF) e ka humbur ndeshjen me rezultat 3:0. Për më tepër, FShF-ja është gjobitur me 100 mijë euro.
CEDB-ja gjithashtu vendosi t’ia heqë Federatës Serbe të Futbollit (FSS) tri pikë për garën aktuale kualifikuese. Për më tepër, FSS-ja është urdhëruar që t’i luajë dy ndeshjet e ardhshme të garës së UEFA-së si vendas me dyer të mbyllura. Përfundimisht, FSS-ja është gjobitur me 100 mijë euro.
Vendimi është i hapur për ankimim”, thuhet në komunikatën e UEFA-së.
UEFA Ia Jep Serbisë Fitoren Pa Pikë Ndaj Shqipërisë
Komisioni Disiplinor i shtëpisë evropiane të futbollit i ka dhënë Serbisë tri pikët në tavolinë për ndeshjen e ndërprerë kundër Shqipërisë e cila u luajt më 14 tetor në Beograd.
Mediat shqiptare kanë raportuar se ky komision i ka dhënë Serbisë fitoren 3:0.
Vendimi nuk është bërë zyrtar ende nga UEFA, ndërkohë që zyrtarizimi i tij pritet të bëhet sot rreth orës 12:30.
Siç raporton Top Channel, me këtë vendim, pikët që i janë dhënë Serbisë në këtë ndeshje, i janë marrë automatikisht pasi që ajo është dënuar me minus tri pikë.
Ndër tjera, UEFA ka vendosur që për incidentet e shkaktuara në fushë, të dy kombëtaret të gjobiten me nga 100 mijë euro, ndërsa Serbia duhet t’i luajë edhe dy ndeshje tjera pa tifozë në stadiumin e vet.
Në një reagim zyrtar, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se do të ankohet ndaj këtij vendimi të cilin e ka quajtur “të padrejtë”.
Sekretari i Përgjithshëm i FShF-së, Ilir Shulku bëri publik vendimin, duke shpjeguar se nuk ka ende një argumentim të Komisionit Disiplinor lidhur me të.
Ndërsa, Artan Hajdari, përfaqësuesi ligjor i Federatës Shqiptare të Futbollit, u shpreh se vendimi i dhënë është i çuditshëm, por megjithatë pala shqiptare do të nisë procedurat për apelimin e tij.
“Ne kemi të drejtë të kërkojmë brenda 5 ditëve argumentet se përse është dhënë ky vendim dhe 3 ditë afat për të bërë ankimimin e tij. Lufta juridike do të vazhdojë dhe ne shpresojmë që drejtësia do të vendoset në vend”, u shpreh Hajdari.
Sipas tij, penalizimi kryesor për Shqipërinë është fakti që ekipi kombëtar ka refuzuar vazhdimin e ndeshjes në situatën e krijuar.
Pas incidentit që ndërpreu ndeshjen në minutën e 42-të, lojtarët shqiptarë u futën në zhveshtore të stadiumit të Partizanit të Beogradit. Paraprakisht ata i ishin nënshtruar dhunës së tifozëve që ishin futur në fushë dhe hedhjeve sulmeve nga tribunat e stadiumit rrugës për në zhveshtore.