Islami: BIK-u Duhet të Kontrollojë Xhamitë dhe Imamët

Studiuesi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, thotë se roli i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) kundër ekstremizmit duhet të jetë më i madh, ndërsa thekson se parandalimi dhe lufta kundër ekstremizmit është betejë që i përket të gjithë shoqërisë kosovare. KALLXO.com e intervistoi Islamin gjatë pjesëmarrjes së tij konferencën e portalit “Fol Tash” kundër ekstremizmit.

KALLXO.com: Cilat mendoni se janë masat dhe cili është kontributi kryesor që duhet dhënë në shoqërinë kosovare për parandalimin e ekstremizmit?

Avni Islami: Ekstremizmi fetar në Kosovë është një dukuri e re, e cila është shfaqur pas luftës së fundit në Kosovë. Masat të cilat duhet të ndërmerren në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit në Kosovë, dhe barra kryesore, bie mbi krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët e kanë për detyrë që të menaxhojnë xhamitë apo vendet ku mblidhen xhemati, ata të cilët shkojnë të kryejnë lutjet fetare.

Dhe pikërisht në këto shtëpi të Zotit, nëpër xhami, po mbillet urrejtje ndaj të tjerëve, por edhe çka është tepër e rëndësishme të theksohet në këtë rast, është se ata të rinj, të cilëve po u shpëlahet truri, janë edhe kundër fesë islame. Pra, duhet që nëpër shtëpitë e Zotit të mbahen ligjërata, të cilat tregojnë se islami është fe e paqes, një fe tolerante dhe që të gjithë njerëzit i trajton të barabartë.

KALLXO.com: BiK-u ka nxjerrë një urdhëresë, e cila mund ta konsiderohet edhe urdhër censure, që nuk i lejon imamët të flasin me median, ndërkohë që elementët më radikalë flasin lirisht, madje kanë edhe mediet e tyre. Si e gjykoni këtë qasje të BIK-ut, kur nga njëra anë, njerëzit që janë më të moderuar dhe mund të edukojnë, ndalohen të flasin me masat, ndërsa elementët radikalë mund të flasin lirshëm?

Avni Islami: Duhet theksuar se sot lufta më e madhe është lufta e informacionit. Ai që e ka informacionin në dorë, e fiton edhe betejën në çfarëdo forme. Sot, mjetet e shkruara dhe elektronike, duke cekur edhe rrjetet sociale, pastaj hapja e mediumeve elektronike, të cilat nuk dihen se ku janë, ato kanë bërë të vetën.

Në këtë formë nuk do ta akuzoja BIK-un sepse këto mediume nuk mundet që t’i kontrollojë BIK-u. Mirëpo BIK-ut i mungon një stacion televiziv apo portal që përmes informacionit që jep Bashkësia Islame e Kosovës, të bëhej kundër-reagim ndaj atyre mediumeve që përhapin ideologji, e cila çon në rrugën drejt terrorizmit fetar.

Pra si kundër-reagim ndaj atyre medieve, të cilat po përhapin ideologji dhe po thërrasin në emër të fesë islame, këtë duhet ta kryente Bashkësia Islame e Kosovës.

KALLXO.com: Por ndërkohë BIK-u ka urdhëruar imamët të mos flasin me median, dhe po vetë komunikon me median në mënyrë shumë të kufizuar…

Avni Islami: Po, është e vërtetë dhe jemi dëshmitarë se këtë veprim po e kryen BIK-u, dhe kjo të ngjason me kohën e komunizmit, kur gjithçka duhet të kalojë nëpër filtrat e Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe gjithçka të kontrollohet prej saj. Por për fat të keq BIK-u nuk i kontrollon imamët e vet nëpër xhami, dhe nga ku dalin të rekrutuarit dhe rekrutuesit, të cilët janë kandidatë potencialë të shkojnë në Siri dhe në vendet arabe.

KALLXO.com: Cilat mendoni se do të ishin mjetet dhe institucionet kryesore për të luftuar ekstremizmin dhe premisat e terrorizmit?

Avni Islami: Parandalimi dhe luftimi i ekstremizmit fetar nuk do të duhej të ishte vetëm përmes një elementi. Të gjithë duhet të luftojmë bashkërisht, kush më shumë e kush më pak, duke filluar nga familja, shoqëria civile – OJQ-të, nga shkollat e deri te mekanizmat e sigurisë së shtetit.

Mirëpo, prapë po e them se barra kryesore bie mbi krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët duhet të hartojnë një platformë të përbashkët, dhe duhet që të dihet se kush dhe çka po ligjëron nëpër xhamia. Këta janë ata që duhet ta parandalojnë të rinjtë që të shkojnë në luftërat në Siri.

Ndërsa si mekanizma të tjerë, rolin kryesor dhe vendimtar me masa represive e kanë mekanizmat e sigurisë së shtetit, të cilët në vitin 2014, kanë bërë arrestime të disa imamëve, të cilët ishin në deklaratat e tyre jashtëzakonisht agresivë, dhe të cilët bënin thirrje për luftë në Siri.