Ish-Drejtori i Bankës BPB në Prizren Dëshmon në Gjykimin e Bankierëve

Shaip Kastrati ish-drejtor i degës së Bankës BpB në Prizren dëshmoi në gjykimin ndaj tetë të akuzuarve për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme.

Kastrati tregoi se në filialin e bankës BpB në Vërmicë në kufirin Kosovë-Shqipëri  kishte punuar i akuzuari Zylfi Arifaj.

Kjo bankë kishte arritur marrëveshje me disa pronarë biznesesh që i kishte klientë që në rast se ata nuk kanë para për zhdoganim të mallrave në kufi, kryesisht disa autoboteve, banka mund të paguante për ta.

Për këtë gjë dëshmitarin Kastrati e pyeti Hazër Susuri, avokati i Zylfi Arifajt, duke ia ofruar një listë për shikim.

“Të gjitha këto subjekte ka qenë një qëndrim i bankës pasi që kanë qenë klientë të bankës dhe të mbahen sa më shumë klientë kanë mundur t’i lëshojnë pa pagesë zyrtari jonë që ka qenë në këtë filial,” tha Kastrati .

Dëshmitari  tregoi se drejtori i financave në Bankën BpB Sherafedin Zhitia që gjithashtu është i akuzuar, njëherë kishte shkuar në Prizren për të dalë në drekë me tash të akuzuarin Zylfi Arifajn.

“Një ditë ka ardhur Sherafedin Zhitia si drejtor financiar i bankës në zyrat tona në Prizren dhe në fund të orarit i kam thënë të shkojmë në drekë, por ai më ka thënë se kishte për të dalë me Zylfi Arifajn dhe me një punëtore tjetër dhe unë e kam parë veten si të tepërt,” u shpreh dëshmitari Kastrati.

Avokati Susuri kërkoi të dijë nga dëshmitari se nga kush mund të ketë marrë urdhra i mbrojturi i tij Zylfi Arifaj për t’i lëshuar autobotet pa pagesë.

“Zylfiu është këtu dhe ai me siguri ai nuk ka vepruar kokë në veti, me siguri ka marrë urdhra të tillë. Urdhrat kryesisht kanë qenë prej Prishtinës direkt në Vërmicë,” u përgjigj Kastrati.

Dëshmitari Shaip Kastrati tregoi në gjykatore se ishte pushuar nga puna në BpB, ndërsa e kishte paditur këtë bankë duke e fituar gjyqin, por edhe pas kthimit në punë me vendim gjykate, pas tre muajsh e kishin larguar përsëri nga puna.

Hilmi Zhitia, avokati mbrojtës i Sherafedin Zhitisë e pyeti dëshmitarin se a ishte njoftuar me një vendim të Bordit të BpB-së të nënshkruar nga kryetari i tij Nazmi Mustafa për lejimin e kredive deri në 20 për qind të qarkullimit mujor- vjetor.

Dëshmitari u përgjigj se po e kam pa sikurse edhe shumë  vendime tjera.

Pas ish-drejtorit të filialit në Prizren, dëshmoi Fitore Miftari, e cila në kohën për të cilën po akuzohen bankierët punonte në Departamentin e Financave dhe Kontabilitetit të BpB-së, ku tash punon si zyrtare për zhvillimin e produkteve të reja.

Hilmi Zhitia, avokati i Sherafedin Zhitisë edhe Fitore Miftarit ia bëri pyetjen e njëjtë, si Shaip Kastratit- pyeti atë nëse kishte njohuri se disa biznese me vendim të bordit mund të marrin kredi deri në 20 për qind të qarkullimit të tyre vjetor.

Dëshmitarja u përgjigj se nuk kishte dijeni për këtë vendim.

Avokati mbrojtës Hazër Susuri e pyeti dëshmitaren se a është e vërtetë që ju dhe Sherafedin Zhitia keni urdhëruar Zylfi Arifajn që një autobot të lirohet pa paguar.

“Unë personalisht nuk e kam urdhëruar,” u përgjigj Fitore Miftari.

I akuzuari Zylfi Arifaj e pyeti dëshmitaren nëse kishin kontaktuar mes vete në telefon. Dëshmitarja e pranoi këtë gjë.

Arifaj në vazhdim i tha dëshmitares se a i kujtohej kur ka shkuar në zyrën e saj për barazim financiar.

Dëshmitarja tregoi në detaje këtë ngjarje.

“Zylfi Arifaj ka ardhur në zyrën time me një fletë të formatit A4 me katër shuma ku më ka thënë t’i nënshkruaj, kinse unë kam urdhëruar ato shuma, por unë kam refuzuar t’i nënshkruaj. Ai më ka thënë se di edhe ndryshe dhe unë kam shkuar te drejtori gjeneral ku na ka ftuar që të dy në zyrë dhe mua në fund më kanë  dërguar në shtëpi rojat e bankës,” tha dëshmitarja Miftari

Në këtë proces gjyqësor për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme akuzohen Nazmi Mustafa, Nail Reshiti, Skender Blakçori, Ismet Brajshori, Islam Zeka, Serafedin Zhitia, Zylfi Arifaj dhe Pashk Bala.

Seanca e radhës u caktua më 5 maj.