Isa Mustafa në Takim me Emisarin e Angela Merkelit

Gazetari i KALLXO.com raporton se takimi i kreut të LDK-së, Isa Mustafa, me emisarin gjerman Ernst Reichel ka përfunduar rreth orës 11:40.

Reichel është larguar nga selia e LDK-së pa pranuar të prononcohet për media, ndërkohë që pas pak çastesh, Mustafa pritet ta mbajë një takim me drejtuesit e degëve të partisë.

11:13

Para pak çastesh, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka nisur një takim në selinë e partisë së tij me ambasadorin Ernst Reichel, emisar i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor.

Dje është raportuar se Reichel, i cili për disa vjet ka mbajtur pozitën e ambasadorit gjerman në Kosovë, është dërguar në Kosovë nga qeveria gjermane për të biseduar me liderët kosovarë për mundësinë e daljes nga ngërçi politik.

Pas disa muajsh pritjeje të lidershipit politik për të vepruar në drejtim të gjetjes së zgjidhjes, duket se në dy javët e fundit, diplomatët ndërkombëtarë janë vënë në funksion duke shtuar përpjekjet që vendi t’i bëjë më në fund institucionet e dala nga zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit.