Isa Mustafa Kërkon Llogari nga Gjykata Kushtetuese

Kryetari i LDK-së dhe kandidati i bllokut LDK-AAK-NISMA për kryetar të Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar llogari nga Gjykata Kushtetuese për vendimin e saj të korrikut që të mos e njohë grupin këtë bllok si grupin më ët madh parlamentar në Kuvend.

Komentet e Mustafës erdhën një ditë pasi një gjykatës amerikan, John Tunheim, që ka punuar si këshilltar në hartimin e Kushtetutës së Kosovës, foli për emisionin “Jeta në Kosovë” për sistemin parlamentar në Kosovë dhe frymën e Kushtetutës sa i përket grupeve parlamentare në Kuvend.

“Kjo ka qenë e njohur për të gjithë ne, por mbetet tani të bëhet e njohur edhe për PDK-në dhe Gjykatën Kushtetuese, ose këto dy palë ta argumentojnë para opinionit sesi në një sistem parlamentar mund të zgjidhet Qeveria, Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit pa shumicë parlamentare”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

“Nëse së paku Gjykata Kushtetuese nuk e bën këtë, atëherë ajo përfundimisht e vërteton se nuk qëndron të jetë një institucion i pavarur, sipas Kushtetutës, por ka marrë anë politike në këtë proces jetik për Kosovën”, është shprehur kryetari i LDK-së.

Në këtë intervistë, gjykatësi Tunheim kishte thënë se Kosova është sistem parlamentar dhe kësisoj pa e pasur shumicën parlamentare s’mund ta formosh qeverinë.