Isa Boletini Kthehet në Shtëpi

Në Boletin përfundoi rivarrimi i Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Isa Boletini u varros në njërin nga varret pranë kullës së tij, ndërsa bashkëluftëtarët me të cilët ai u vra në vitin 1916 në Podgoricë, u varrosën në varrin tjetër.

Pjesëmarrësit e varrimit janë shpërndarë të qetë.

15:24

Qindra qytetarë dhe përfaqësues institucionesh janë mbledhur në Boletin në pritje të rivarrimit të Isa Boletinit.

14:00

Në Stadiumin “Adem Jashari” ku u nderuan eshtrat e Isa Boletinit, ceremonia e rivarrimit të heroit u quajt historike.

“Është nder i veçantë që më keni ftuar në këtë ceremoni historike, sepse sot rishkruhet historia duke përmbyllur rrugëtimin e Isa Boletinit, i cili po kthehet në Kosovën e lirë, ashtu qysh e deshi sa ishte gjallë,” tha presidenti shqiptar Bujar Nishani.

Fjalët e tij në stadium i tha edhe Kryeministri Isa Mustafa

“Brezi i Isës luftoi për shqiptarë. Vepra e Isa Boletinit është udhërrëfyes i brezave të rinj,” deklaroi Mustafa.

Në tubimin për të nderuar eshtrat e Isa Boletinit folën edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri dhe përfaqësues nga viset shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.

Varrimi i Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij është paraparë të ndodhë në orën 15:00.

12:20

Arkivoli me eshtrat e Isa Boletinit ka hyrë në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës.

Në stadium mes qindra të pranishmëve ndodhen edhe Kryetari i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, Kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Në nderimin e Isa Boletinit po merr pjesë edhe kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha.

10:00

Arkivoli me eshtrat e Isa Boletinit ka mbërritur para objektit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, ku përveç përfaqësuesve të institucioneve, homazhe janë duke bërë edhe qytetarët.

Sot është paraparë rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij me të cilët heroi zhvilloi betejën e fundit.

Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës është duke u mbajtur mbledhje solemne për nder të rivarrimit të eshtrave të Boletinit dhe të tjerëve.

Në mbledhje po merr pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

Mbledhje solemne për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit

“Sot ne po e zbukurojmë Mitrovicën dhe Boletinin me rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në Boletin,” tha Veseli duke iu drejtuar asamblistëve mitrovicas.

Edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri foli në Kuvend.

“Kjo mbledhje e Kuvendit është mbledhja më e mirë dhe më e rëndësishme e Kuvendit Komunal të Mitrovicës, pasi që po bëhet për ta nderuar heroin kombëtar Isa Boletinin,” tha Bahtiri.

Jashtë Kuvendit Komunal janë duke u bërë përgatitjet e fundit për vendosjen e arkivolit të Isa Boletinit pranë të cilit do të bëjnë homazhe qytetarët deri në orën 11:00.

Në mesditë është paraparë ngjarja qendrore e këtij aktiviteti në Stadiumin Olimpik “Adem jashari” të Mitrovicës, ku pjesëmarrjen e ka paralajmëruar Kryeministri Isa Mustafa.

Varrimi i Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij do të bëhet në orën 15:00 në Boletin të Komunës së Zveçanit.

KALLXO.com-i shkroi edhe për aktivitetet tjera të zhvilluara për nder të luftëtarëve për pavarësinë e Shqipërisë.