Investimi Prej 200 Mijë Eurosh në ‘Stallën” e QKMF-së

Mbi 200 mijë euro të investuara nga Ministria e Shëndetësisë kishin bërë të mundur ndërtimin e objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë  Familjare në Junik në vitin 2012. Ky projekt ishte i rëndësishëm për banorët e Komunës së Junikut. Por pas tri viteve, ky objekt nga jashtë ende ka pamje te re, ndërsa gjendja brenda tij është shqetësuese.

Lagështia dhe myku i krijuar përveç që krijojnë erëra të pakëndshme, në masë të madhe kanë dëmtuar shumicën e mureve të  QKMF-së. Kjo situatë paraqet shqetësim dhe rrezik për shëndetin e personelit të QKMF-së dhe pacientët të cilët duhet të përballën çdo ditë me këtë problematik.

Farmacistja e QKMF-së në Junik, Sinavere Hoxha, thotë së nga kjo gjendje e objekti po dëmtohen edhe medikamentet për të cilat shpeshherë ka pasur edhe ankesa nga pacientët.

“Po, ashtu, herë i vendosim (medikamentet) në një vend, herë në një vend tjetër. Zakonisht i mbajmë në mes ku nuk mbështeten për muri. Ka pasur edhe ankesa nga pacientët. Po kanë qenë prej Ministrisë. Kanë thënë së duhet me mbyllë këtë ambulantë, por, asgjë”, bëri të ditur ajo.

Mjeku familjar i kësaj qendre, Rexhë Gjoci,  tha së ky objekt është që dy vite në këtë gjendje, e cila tha se paraqet rrezik për shëndetin e pacientëve.

“Vijnë të shërohen, vijnë me sëmundje e marrin sëmundjen tjetër. Kjo s’i plotëson kushtet as për stallë, e lëre si Ent Shëndetësor”, tha Gjoci për Kallxo.com.

Mone Pangjaj, paciente e kësaj qendre thotë, se edhe pse e kënaqur me shërbimin e personelit, ajo ankohet për gjendjen e krijuar brenda ambienti në këtë objekt.

“Shërbimi po, po vendi pak i thyem, i ftohtë. Asgjë s’ka ndreq kush. Era e lagështisë është. Nuk është këtu bash mirë, kjo e ndërtuar bukur, por era e rëndë. Tash çka të bëjmë, siç është për të gjithë ashtu edhe për mua. S’po kam çka të bëj. Besa s’po janë kushtet me shku larg”, tha Mone Pangjaj.

“Po, vij shpesh këtu me nënën marr ushqim (infuzion) këtu. Shërbimi është i mirë por krejt lagështi. Që tri-katër vjet u ndërtu objekti, krejt lagështi. Si s’na pengon. Këtu të duket sikur me hy në stallë të lopëve”, tha Gorçi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se nuk kanë marrë asnjë ankesë zyrtare nga QKMF-ja e Junikut për gjendjen e saj të keqe.

“Nuk kam ndonjë informacion për ndonjë ankesë zyrtare të zyrtarëve të QKMF-së në Junik në MSh-në lidhur me investimin për ngritjen e një QKMF-je atje nga ana e MSh-së, por ajo që dihet është se asnjë objekt i ri që ndërtohet apo i cili  i nënshtrohet ndonjë renovimi, nuk futet në funksion para se të bëhet pranimi teknik i tij nga Komisioni i përbashkët. Sigurisht, as autoritetet lokale shëndetësore në Junik nuk e kanë pranuar atë objekt pa u bërë ky pranim teknik”, tha zëdhënësi Hoti.

Kallxo.com ka tentuar të marr prononcim nga zyrtarët përgjegjës të shëndetësisë në Komunën e Junikut, por kjo e fundit që disa muaj nuk ka fare Drejtor të Drejtorisë për Shëndetësi, madje as ushtrues të detyrës së drejtorit.

Për këtë çështje është kontaktuar edhe Kryetari i Komunës, Agron Kuçi, por ai përmes zyrtarëve të kabinetit të tij ka thënë së nuk ka kohë të prononcohet për këtë çështje deri në javën tjetër, duke rekomanduar që të kontaktohet, kryeshefi i QKMF-së Ali Kuçi.

Ky i fundit tha përmes telefonit se objekti ka ardhur në këtë gjendje si pasojë e punimeve të dobëta nga punë-kryesi i kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Objekti është ndërtuar me mjete të Ministrisë së Shëndetësisë, ajo ka hapur tenderin për ndërtimin e këtij objekti. Punimet nuk janë kryer si duhet sepse pas tri viteve e keni vërejtur së në çfarë gjendje është shndërruar. Kanë qenë edhe Inspektorati nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët i kanë dhënë vërejtjet e tyre. Duhet të merren masa për rregullimin e kësaj çështjeje, sepse me së shumti po pësojnë punëtorët e QKMF-së bashkë me pacientët”, ka thënë për Kallxo.com kryeshefi i QKMF-së në Junik, Ali Kuçi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, akuzat e QKMF-së ndaj Ministrisë i sheh si jokorrekte.

“Të hedhen akuza pas disa vitesh te një institucion që përkundër buxhetit të kufizuar ka investuar në atë zonë jashtë pjesës së përgjegjësive që i mbulon,  nuk duket  korrekte. Ministrisë së Shëndetësisë nuk i kujtohet që kur është inauguruar objekti a ka pasur vërejtje të tilla. Gjithashtu, investimi në një objekt, pas inaugurimit nënkupton që autoritetet që e kanë në pronësi ta mirëmbajnë atë dhe t’i sanojnë në zanafillë problemet që mund të shfaqen e jo të lihen që ato të marrin përmasa të mëdha”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.