Investimi në Pishinë lë Arsimtarët e Shkollës Private pa Paga

Ka dy- tre muaj që punëtorët e Shkollës e Fillore dhe të Mesme private “Zenit” nuk kanë marrë paga ndërsa drejtuesit e këtij institucioni arsi8mor këto vonesa po i arsyetojnë me disa investime që i kanë bërë së fundmi në objektin shkollor.

KALLXO.com ka marrë një informatë se punëtorët nuk janë duke u paguar me rregull nga kjo shkollë, ndërsa këtë e ka konfirmuar edhe vetë drejtori i shkollës Jonuz Salihaj.

“E vërteta është se në katër, pesë muajt e fundit kemi një vonesë të pagave prej dy muajsh dhe kjo ka shkaktu pak pakënaqësi. Por jo pakënaqësi që do të kalojnë shumë shpejt, për arsye se investimet e mëdha në pishinë veç po i kryejmë tani dhe kjo do të na sjellë një numër shumë më të madh të fëmijëve sepse shkas për këtë është numri i vogël i fëmijëve dhe po ashtu pagesa që nuk është e madhe në krahasim me shkollat e tjera”, tha Salihaj.

Raportuesi në KALLXO.com ka thënë se disa herë arsimtarët kanë tentuar ta zgjidhin këtë çështje, por ata “janë gënjyer dhe janë mashtruar”.

“Nja dy tre muaj janë dhënë pagat me rregull, e pastaj janë ndaluar, duke akumuluar borxhe për disa muaj”, ka thënë raportuesi.

Por, sipas Salihajt, pishina është investimi më i madh që është bërë.

“Ky është ai investimi i madh që është bërë. Do me thënë pastrimi i ujit bëhet me kripë kuzhine sipas standardeve të BE-së. Vetëm ai elektrolizeri që e pastron ujin ka kushtu 80 mijë euro”, tha Salihaj.

Ai shprehet se të hyrat vjetore që i merr shkolla sillen mbi 200 mijë euro, ndërsa pagat e kalojnë shumën prej 18 mijë euro në muaj.

Sipas drejtorit, shumica e arsimtarëve nuk e kanë marrë rrogat e janarit dhe të shkurtit e cila, sipas tij, do t’u jepen këtë muaj.

“Shumica absolute e arsimtarëve nuk e kanë marrë rrogën e janarit dhe të shkurtit që do t’i marrin dyjat më së largu deri në fund të marsit sepse investimet e kanë bërë të vetën dhe shpresoj që kemi me dal nga kjo gjendje”, tha ai.

Salihaj tha se mësimi është mbajtur me rregull dhe nuk ka pas bojkotim të mësimit nga mësimdhënësit.

Shkolla “Zenit”, e themeluar në vitin 2009, është shkollë me licencë të përhershme.