Incidenti i Tretë në Mitrovicë, Rrahet Një i Mitur

Edhe një incident tjetër ka ndodhur sot pasdite në pjesën veriore të Mitrovicës.

Zëvendës Komandanti i Policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti, konfirmoi për KALLXO.com se një i mitur shqiptar, i moshës 15 vjeçare, është lënduar nga disa persona të panjohur në veri të Mitrovicës.

Sipas Hotit, sulmuesit e të miturit mbeten të panjohur për Policinë.

Rriten Tensionet në Mitrovicë, një Rrahje Tjetër Ndodhi Sot

14:46

Policia e Kosovës raportoi se sot rreth orës 14 një i ri shqiptar është rrahur në pjesën veriore të Mitrovicës nga persona deri më tani të panjohur.

Incidenti i sotëm vjen as 24 orë prej se një i ri serb u rrah në afërsi të urës së Ibrit në pjesën veriore, në mbrëmje të së enjtes, gjithashtu nga persona të panjohur.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, konfirmoi incidentin e sotëm për KALLXO.com.

Viktima e këtij incidenti ka kërkuar ndihmë te pika statike e policisë në Urën e Ibrit dhe nga aty ka hipur në ambulancë për t’u dërguar në spitalin e qytetit në Mitrovicë të Jugut ku është duke e marrë trajtimin mjekësor.