Imet Rrahmani Inspekton Punën e Ferid Aganit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani mund të përballet me Prokurorinë në rast se vërtetohet se është ndarë në mënyrë të paligjshme buxheti për pagat e specializantëve mjekësorë në Kosovë.

Një paralajmërim të tillë e bëri ministri aktual i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili të mërkurën para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka thënë se forma e pagesës së specializantëve është bërë në mënyrë të paligjshme.

“Ne e kemi të njohur problemin e specializantëve. Janë rreth 300 specializantë të cilët kanë marrë paga deri në dhjetor. Ata kanë marrë paga nga subvencionet që është në kundërshtim me ligjin, dhe ne duhet të gjejmë formën që është ligjore”, tha ministri Rrahmani.

Ai tha se nëse ka gjetje në këtë drejtim, sigurisht se do t’i drejtohen Prokurorisë. Ministri Rrahmani ka pranuar se ka afera të korrupsionit në mjekësinë kosovare.

“Më vjen keq që në shëndetësi ka shumë afera të tilla korruptive të njohura tashmë për opinionin dhe shumë zyrtarë të shëndetësisë, por edhe punëtorë mantel-bardhë janë nën hetime ose të arrestuar. Por ky problem është multi-sektorialë dhe nuk varet vetëm nga angazhimi i ministrit dhe kabinetit të tij”, theksoi ai.

Auditori, sipas tij, ka vërejtur parregullsi të caktuara në Ministrinë e Shëndetësisë  dhe ka paralajmëruar veprime ndaj individëve.

“Jemi në fazën e Auditimit të shumë çështjeve dhe ju them me përgjegjësi që kemi vërejtur parregullsi të caktuara dhe varësisht nga gjetjet e Auditorit, ne do të procedojmë komfor ligjit. Aty ku vërtetohen përgjegjësi individuale, do të merren masa,  ndërsa aty ku rekomandohet të ndryshohen procedurat, do të ndryshohen”, shtoi ministri. Në këto raste, tha ai, duhet të veprojë Prokuroria dhe Gjykata.

Ministri shprehu pakënaqësi edhe për licencimet dhe ri-licencimet, duke thënë se ato janë bërë me vendime politike.

“Nuk është se punëtorët shëndetësor nuk kanë pasur aktivitete, mirëpo nuk ka pas një sistem të mirëfilltë të instaluar për licencim dhe ri-licencim. Fondi është ndarë për edukim të vazhdueshëm profesional, mirëpo edhe unë e kam përshtypjen që kanë fituar vetëm individët e caktuar”, deklaroi ministri.

Për pakon e sigurimeve shëndetësore ai tha se do të fillojë në shkurt projekt-piloti, ndërsa në vitin tjetër pritet realizimi i kësaj pakoje.

“Jemi duke punuar në vazhdimësi në rritjen e objektivave dinamike që janë paraparë me Ligjin e Shëndetësisë. Sistemi i Sigurimit Shëndetësor, projekt-piloti në Prizren dhe në Prishtinë në QKUK, do të fillojë në shkurt”, tha ministri.

Ai foli edhe për furnizimin me barna nga lista esenciale duke thënë se për këtë problem janë krijuar udhërrëfyes klinik, të cilët, me automatizëm do ta nxjerrin listën reale të barnave esenciale.

“Vitin e shkuar 62 për qind nga lista vitale janë ndarë disa barna që kanë qenë të nevojshme për Emergjencë, mjekim intensivë dhe sallë, ndërsa nga lista esenciale ka qenë 40 për qind”, tha ministri Rrahamani.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se është duke punuar edhe për Qendrën Emergjente në QKUK, ku paralajmëroi ndërtimin e një objekti të ri.

Rrahmani tregoi po ashtu se në këtë vit janë paraparë 6 milionë euro për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike.