Ibrahimi: Gjyqtarët e Rinj janë Ndihmesë, por nuk Zgjidhet Problemi i Lëndëve

Presidentja e Republikës së Kosovës, këtë javë dekretoi 41 gjyqtarë të rinj që do të shërbejnë në sistemin gjyqësor të Kosovës. 20 prej këtyre gjyqtarëve do të sistemohen në gjykatën më të madhe në Kosovë, në atë të Prishtinës.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi e mirëpret këtë dekretim.

“Ne këtë javë kemi pranuar 20 gjyqtarë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, 18 prej tyre në bazë ndërsa dy prej tyre në Podujevë”, tha ibrahimi.

Ai thotë se kjo është një ndihmesë në përballimin e fluksit të lëndëve, por nuk do ta zgjidhë problemin në tërësi. Sipas tij, nga muaji i ardhshëm gjyqtarët e rinj do të fillojnë punën.

Ibrahimi tha se për gjyqtarët e rinj ka vend të mjaftueshëm në Pallatin e Drejtësisë, por për gjyqtarët e ardhshëm ai tha se do të ketë nevojë për investime shtesë.

“Edhe për këtë numër të gjyqtarëve që kanë ardhur tani më, ne do të gjendemi. Problem është se nuk ka hapësirë të mjaftueshme nëse rritet numri i gjyqtarëve”, tha Ibrahimi.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, duke folur për numrin e lëndëve të pazgjidhura tha se me këtë numër të gjyqtarëve ata kanë punë edhe për pesë vite, pa pranuar lëndë të reja.

“Përcaktimi i numrit të gjyqtarëve duhet të bëhet mbi bazën e një analize të detajuar të numrit të lëndëve aktuale dhe sa lëndë mund të vijnë në pesë vitet e ardhshme. Aktualisht edhe këta gjyqtarë që i kemi, kemi punë edhe për pesë vite”, tha ai.

Ibrahimi tha se Gjykata Themelore në Prishtinë është boshti i drejtësisë së Kosovës dhe se investimi në këtë gjykatë nuk duhet të kursehen.

“Kjo është Gjykata më e madhe në Kosovë, dhe kemi kompetenca  shtesë për tërë territorin e Kosovës për çështje ekonomike dhe administrative. Prandaj kjo është kurrizi i drejtësisë në Kosovë dhe këtu nuk duhet të kursehet investimi në numrin e gjyqtarëve.