I Dyshuari Për Terrorizëm në Arrest Shtëpiak

Të dyshuarit për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, Sokol Morina, i është caktuar sot masa e arrestit shtëpiak nga Gjykata Themelore në Pejë.

Morina, i cili është arrestuar më 7 shtator me urdhër te Prokurorisë Speciale te Kosovës, kishte pranuar në polici se kishte marrë pjesë ne në luftën ne Sirisë duke iu bashkangjitur “Ushtrisë së Lirë Siriane“ në periudhën kohore nga korriku i vitit 2013 deri në janar të këtij viti.

Ai së bashku me një shok te tij A.SH. përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” kishin shkuar ne Stamboll prej nga ilegalisht kishin hyrë në Siri.

Morina dy muaj pas hyrjes në Siri, ishte plagosur në këmbë gjatë luftimeve. Ai edhe sot vuan nga kjo plagosje dhe ka shumë vështërsi në të ecur.

KALLXO.com dje kishte raportuar për arrestimin e një personi të dyshuar për terrorizëm, i cili ishte plagosur gjatë konfliktit në Siri.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte bërë kërkesë që ndaj të dyshuarit Morina të caktohet masa e paraburgimit.

Gjyqtari i procedurës paraprake Sali Berisha refuzoi kërkesën e Prokurorisë si të pabazuar dhe ndaj të dyshuarit caktoi masën 30 ditëshe të arrestit shtëpiak.

Kjo masë e obligon atë të qëndrojë vetëm në objektin e shtëpisë së tij.

Pas marrjes se këtij vendimi, avokati i të dyshuarit, Asdren Hoxha, tha për KALLXO.com se kjo nuk është masa që është dashur të caktohet ndaj klientit të tij.

“Unë kam kërkuar ndonjë masë tjetër pasi që Prokuroria nuk ka as edhe një provë që e vërteton se ka qenë pjesë e ndonjë organizate terroriste, siç është ISIS apo AL- Nusra”, tha avokati Hoxha.

“I mbrojturi im e ka pranuar që ka qenë pjesë e Ushtrisë së Lirë siriane, ushtri kjo që dihet botërisht se nuk është organizatë terroriste”, u shpreh Asdren Hoxha.

Megjithatë, ai tha se ende nuk ka vendosur nëse do të ankohet ndaj masës së arrestit shtëpiak të klientit të tij.

Sa i përket asaj se  a do te bëjë ankesë kundër vendimit te sotëm me te cilin klientit tim ju ka caktua masa e arrestit shtëpiak, nuk e di sepse unë ende nuk e kam marr vendimin, pasi qe ta marr te njëjtin do te shikoj dhe do te vendosi për ankesë.