I Akuzuari për Vrasjen në ‘Bon Vivant’ në Ekzaminim Mjekësor

Afërsisht një vit pas vrasjes së rojës së lokalit “Bon Vivant” në Prishtinë, dy të akuzuar dolën para gjykatës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Masar Gërdovcin dhe Sherif Krasniqin se në bashkëkryerje kanë bërë vrasjen e Rrahman Ukës, rojës së lokalit “Bon Vivant” në Prishtinë më 13 tetor të vitit të kaluar.

Para leximit të aktakuzës nga prokurorja Ferdane Sylejmani, avokati i Gërdovcit Mexhid Syla kërkoi nga gjyqtarja Hajrije Shala që të mbrojturit të tij t’i bëhet një ekzaminim për gjendjen shëndetësore.

“Unë gjatë vizitave që ia kam bërë klientit tim në burg, por edhe nga shqetësimet  e familjarëve të tij, shpreh brengën për shëndetin mental të klientit tim. Ai ka qenë edhe në trajtim mjekësor më herët dhe gjatë bisedës me të kam vërejtur se ka ndërprerje në biseda, të tilla si ‘nuk më kujtohet’, ‘se di’, etj,” tha Syla duke arsyetuar kërkesën për ekzaminim të klientit të tij.

Gjyqtarja Shala e pyeti edhe vetë të  akuzuarin për këtë çështje. Masar Gërdovci tha se në të kaluarën ishte trajtuar te Ferid Agani dhe Fatmir Xhelili.

Gjyqtarja e miratoi kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Gërdovci, ndërsa seanca vazhdoi me leximin e aktakuzës dhe deklarimin e të akuzuarit tjetër Krasniqi.

“Nuk ndihem fajtor, sepse nuk e kam vrarë unë, asnjëherë nuk kam pasur armë,” tha Sherif Krasniqi.

Avokati Mexhid Syla tha pas seancës se e ka argumentuar mirë kërkesën për ekzaminim mjekësor të klientit të tij.

“Konsideroj se me të drejtë kam kërkuar që  paraprakisht të vërtetohet gjendja, shëndeti  mendor i tij, për çka, arsyet, kam paraqitur argumente të bollshme. Një kërkesë të tillë e kam bërë edhe në fazën e hetimeve, në prokurori dhe tek gjyqtari i procedurës paraprake, por për fat të keq ata nuk kanë reflektuar”, tha Syla.

Syla e vlerësoi të drejtë dhe korrekt vendimin e gjykatës për të miratuar kërkesën e tij për vërtetim të gjendjes shëndetësore të ë akuzuarit Gërdovci.

“Gjykata sot pas vlerësimit të argumenteve, konsideroj se me të drejtë, duke u bazuar në nenin 508 dhe 146 të Kodit të Procedurës Penale, mori vendim për aprovimin e kërkesës. Shkon në ekzaminim njeriu, vërtetohet gjendja e shëndetit të tij mendor, vërtetohet se a është i llogaritshëm apo ajo dhe çka është puna e tij,” tha Syla.

Vazhdimi i seancës fillestare do të caktohet pas realizimit të ekzaminimit.

KALLXO.com shkroi për vrasjen në “Bon Vivant”.