I Akuzuari: Nuk i Kam Prekur me Dorë Inspektorët

Agim Zymberi, i akuzuar për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kanosje dhe armëmbajtje pa leje, tha të martën në gjykatë se nuk i ka prekur me dorë inspektorët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ai nga Prokuroria Themelore e Prishtinës akuzohet se më 3 qershor të vitit të kaluar në Picerinë “Dardi”, i ka sulmuar dy inspektorë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke i ndjekur me karrige prej lokalit.

Aktakuza e ngarkon Zymberin se të dëbuarve dhunshëm nga ky lokal gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, u është drejtuar edhe me fjalët kërcënuese: “Hupni prej ktuhit, dilni jashtë!”

I akuzuari që në seancat e mëparshme ka pranuar fajësinë vetëm për veprën e kanosjes, ndërsa ka mohuar kryerjen e sulmit dhe armëmbajtjen pa leje, dha deklaratën e vet.

Ai tha se inspektorët i “kam pa vetëm atë ditë është e vërtetë se i kam qitë jashtë dhe kurrgjë të keqe nuk kam pasë me ta. Arsyet që ka ardhur deri te këto mosmarrëveshje kane qenë provokimet” .

Agim Zymberi deklaroi se nuk i ka prekur me dorë këta zyrtarë.

“Më vjen keq për atë që ka ndodhur, fizikisht asnjërin prej tyre nuk e kam  prekur. Nuk kam pasur armë me vete dhe asnjëherë nuk kam pasur armë”, tha i akuzuari.

Prokurori propozoi që inspektorët të vijnë në gjykatë për t’u përgjigjur në lidhje me atë se a i ka kërcënuar me armë i akuzuari.

Avokati Haxhi Millaku e kundërshtoi këtë propozim, pasi tha se Kodi i Procedurës Penale nuk e parasheh që të bëhet ballafaqimi i të akuzuarit me dëshmitarin, ngase në nenin 125 të po këtij kodi këto palë nuk i kanë obligimet e njëjta.

Trupi gjykues mori vendim që në seancën e radhës të dëshmojë vetëm njëri nga inspektorët.

Seanca u shty për 27 tetor 2014.