I Akuzuari Mohon se Mori me Dhunë Vajzën e tij nga Ish-Gruaja

R.K. që akuzohet për marrje të kundërligjshme të vajzës së tij, tha se e ka kryer këtë veprim me leje të ish-bashkëshortes.

Pas leximit të aktakuzës, R. K. u deklarua se e kupton atë, por tha se ndihet absolutisht i pafajshëm.

“Jam absolutisht i pafajshëm për veprën për të cilën akuzohem”, tha ai.

I akuzuari  më pas tregoi për ditën kritike.

“Ditën kritike kur e kam marrë vajzën time, e kam pritur derisa e ka përfunduar kursin dhe pastaj e kam pyetur nënën e vet ish- bashkëshorten time, se  a po mi jep fëmijët me ngrënë drekë së bashku”, deklaroi R. K.

Ai më pas tregoi se ka marrë leje nga ish-gruaja për të drekuar me fëmijët e tij.

“Vajza e vogël nuk deshi të vinte, ndërsa ish-bashkëshortja ime i tha ‘shkoni se baba e keni’, pastaj e kam marrë vajzën dhe kemi shkuar për të ngrënë drekë ku ka dashur ajo. Pastaj unë kam pasur ta marr në shkollë një fëmijë tjetër të familjes dhe vetëm kur i kam parë policinë”, tha R.K.

Ai pati vërejtje se nuk i është mundësuar takimi me fëmijët e tij ashtu siç e kishte përcaktuar gjykata, ndërsa akuzoi disa policë për ushtrim të dhunës.

R.K., nga kjo martesë e përfunduar me ndarje ka dy vajza.

Pas deklarimit të të akuzuarit përfundoi seanca. Seanca e radhës u caktua për 31 dhjetor.