Human Rights Watch Kërkon Hetim më të Gjerë në EULEX

Drejtoresha për Bashkimin Evropian e organizatës Human Rights Watch, Lotte Leicht, i ka shkruar letër Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, rreth akuzave për korrupsion në misionin në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX.

Në këtë letër, Leicht thotë se nëse ka ndonjë të vërtetë në këto akuza kjo do të kishte pasoja serioze për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore për gjykim të drejtë dhe lirinë e shprehjes në Kosovë.

Leicht thotë se HRW mirëpret vendimin e Mogherinit për të nisur një hetim lidhur me  trajtimin e dyshimeve për korrupsion të EULEX-it por shfaq dyshime për përgjegjësitë që i janë dhënë hetuesit trë pavarur lidhur me këtë rast.

“Ne e kuptojmë se zoti Jean Paul Jacque u emërua më 10 nëntor si një ekspert i pavarur për të shikuar trajtimin e akuzave për korrupsion ndaj EULEX-it dhe që brenda katër muajve  të publikojë gjetjet dhe rekomandimet. Ne megjithatë jemi të shqetësuar, se roli i zotit Jacque-së është i kufizuar si hetim i brendshëm në EULEX-it në vend se ishte  një hetim i pavarur për këto akuza. Ne  gjithashtu mirëpresim vendimin e Avokatit të Popullit të BE-së për të nisur hetimin e tij  lidhur me këto pretendime”, thuhet në këtë letër.

“Duke pasur parasysh seriozitetin e akuzave kundër misionit dhe dëmit që po i bën besueshmërisë së misionit dhe reputacionin më të gjerë të Bashkimit Evropian, është jetike që EEAS ta zgjerojë mandatin e  Jacque, në mënyrë që ai të mund ta kryejë hetimin e tij në këto pretendime”, shkruan Leicht.

Ajo thotë se pasi që mandati i EULEX-it është që të hetojë dhe gjykojë krimet serioze dhe promovojë sundimin e  ligjit në Kosovë, është e rëndësishme që hetimi  i Jacque të shqyrtojë në tërësi se si misioni ka hetuar raportet për korrupsion, përfshirë “edhe ato nga ish-prokurorja e EULEX-it (Maria Bamieh) e cila ka vepruar si raportuese e këtyre rasteve, e krejt kjo për të identifikuar dhe korrigjuar dobësitë e dukshme në sistem”.

Përveç kësaj, Leicht thotë se hetimi duhet të shqyrtojë nëse zyrtarët e EULEX-it ushtruan  presion ndaj gazetarit kosovar Vehbi Kajtazi, i cili ishte duke hetuar këto pohime serioze.

“Kajtazi i tha Human Rights Watch se ai u thirr në një takim më 23 tetor me Catherine Fearon, këshilltare e posaçëm në krye të misionit të EULEX-it, dhe zëdhënëses së EULEX  Dragana Nikolic-Solomon, duke supozuar se ata do të diskutojnë pyetjet që ai kishte dërguar më parë në misionin për akuzat e korrupsionit. Në vend të kësaj, tha Kajtazi, Fearon kërkuar nga ai që të dorëzojë materialet e  tij mbi akuzat për korrupsion ndaj EULEX-it asaj,  ai nuk pranoi të bëjë këtë. Nëse kjo është e vërtetë, kjo mbart implikime negative për lirinë e mediave në Kosovë”, thuhet në letër.

Leicht thotë se mediat e lira dhe e pavarur  janë themel në çdo demokraci dhe  kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit.

“Çdo pretendim se EULEX-i ka bërë presion mbi një gazetar që po hetonte pretendimet për korrupsionit brenda misionit duhet që menjëherë dhe në tërësi të hetohen nga Jacque”, thuhet në letrën e drejtoreshës së HRW për BE, Lotte Leicht.