Hoxhaj në Beograd Kërkon Njohjen e Kosovës nga Serbia
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë sot në Beograd se në periudhën 3-5 vjeçare, Kosova dhe Serbia duhet ta lidhin një “traktat miqësie”.
Ky akt, sipas shefit të diplomacisë kosovare, përbën fazën e tretë të një procesi i cili, sipas tij, ka nisur me dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ministri Hoxhaj, bashkë me kolegun e tij të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, janë duke qëndruar në Beograd në kuadër të një takimi me homologët e gjashtë vendeve të rajonit.
Kjo shënon nivelin më të lartë të pjesëmarrjes së zyrtarëve të qeverisë së Kosovës në një ngjarje në Beograd, e cila është vazhdimësi e iniciativës në Berlin dhe Dubrovnik.
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj në fjalën e tij ka thënë se prania e Kosovës në konferencën e këtij niveli në Serbi flet për të arriturat e rajonit dhe transformimin e marrëdhënieve që kanë ndodhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas fillimit të dialogut.
“Në një të ardhme 3-5 vjet t’i zgjidhim çështjet e hapura mes veti që do të konkretizohej me Traktatin e Miqësisë, që përfshin njohjen e shtetit të Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare përfshirë OKB-në dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka thënë Hoxhaj.
Në fund të konferencës është miratuar edhe një deklaratë e përbashkët.