Historia e Pajisjes për Zërim që u Vodh nga i Afërmi i Drejtorit Komunal

Bekim Gutaj, që më 20 qershor të vitit të kaluar kryente detyrën e shtëpiakut në objektin e Kuvendit Komunal të Gjakovës, kur u vodh pajisja komunale për zërim, akuzon drejtorin e administratës Armend Vokshin se e detyroi ta blejë këtë pajisje.

“Zotëri Armend Vokshi më ka detyru, më ka thënë mua nuk po më intereson, unë e du pajisjen edhe ti ndash bleje, ndash bon çka të dush. Unë e du pajisjen, ose të largoj prej punës-suspendoj prej punës. I kam thanë: jo nuk ki nevojë me më suspendu, unë e bi një pajisje për me vazhdu punën deri në zbardhjen e rastit,” shpjegon Gutaj.

KALLXO.com-i pati shkruar për vjedhjen e pajisjes që në gjuhën teknike quhet miksetë, ndërsa shërben për mundësimin e zërimit në sallën e kuvendit komunal dhe për përkthim me anë të dëgjueseve.

Drejtori i administratës në Komunën e Gjakovës Armend Vokshi mohon kategorikisht se detyroi shtëpiakun që gjithsesi ta sigurojë pajisjen e vjedhur të zërimit.

“Unë nuk e kam obliguar apo shantazhuar shtëpiakun. Në momentin kur ka ndodhë vjedhja, ne kemi pasur një takim në asamble dhe unë i kam thënë Bekim të lutem ta sigurosh miksetën me qëllim që të bëhet mbarëvajtja e mbledhjeve dhe në momentin kur nis rasti në polici dhe gjendet hajni atëherë e shikojmë procedurën. Absolutisht nuk e kam shantazhuar, as që i kam thënë që të largoj nga puna,” thotë Vokshi.

Por shtëpiaku që e kishte shef pikërisht Armend Vokshin thotë se  miksetën e vodhi një i afërm i shefit të tij.

“Pajisjen e ka vjedhë djali i dajës së Armend Vokshit, drejtorit tem,” thotë Bekim Gutaj.

Se një i afërm i tij vodhi miksetën, e pranon edhe drejtori Vokshi.

“Momentin kur policia pas dy muajsh e ka sjellë raportin dhe ma ka dorëzuar personalisht mua dhe kryetares një kopje, sepse kam qenë unë që kamë iniciuar personalisht rastin dhe aty ka rezultuar që është një kushëri imi me të cilin nuk kemi kontakte për arsye familjare,” thotë Vokshi.

Gutaj sqaron se pikërisht pse hajni ishte i afërm i drejtorit, Vokshi hezitonte ta thërriste policinë për ta njoftuar për vjedhjen.

“Duhesh me i lajmëru policinë, më ka thënë. Jo nuk ka nevojë, i kam thënë, në qoftë se ti nuk i thirrë detyrohem t’i thërras unë. Për çështje juridike nuk i lejohet punëtorit me i thirrë policinë, këtu duhet drejtori, se ai është përgjegjës për objektin e komunës.” tregon Gutaj për dialogun me shefin e tij.

Edhe policia konfirmon se për rastin e vjedhjes së miksetës në Kuvendin Komunal të Gjakovës ka pranuar dy telefonata të ndryshme.

“Ditën kritike kemi marrë dy informata njërën nga linja emergjente 192 nga qytetari apo ankuesi Bekim Gutaj si dhe një telefonatë kam marrë unë personalisht nga drejtori Armend Vokshi lidhur me rastin,” sqaron Gjokaj.

Ai bën me dije se policia veproi shpejt, duke kapur hajnin dhe kthyer miksetën.

“Për pak kohë, afërsisht një muaj e gjysmë, ne me të gjitha hetimet tona intensive kemi arritur të zbulojmë kryerësin e mundshëm si dhe kemi arritur të konfiskojmë provat gjegjësisht miksetën,” tregon Gjokaj.

Por shtëpiaku Gutaj thotë se nga presioni i drejtorit të administratës u detyrua ta blejë me para të tijat miksetën, në kohën kur ajo mungonte, pasi u vodh.

Gutaj thotë se edhe pse mikseta i është kthyer komunës, atij nuk i është kompensuar blerja e kësaj pajisjeje.

“Mua ende nuk më është kthyer shuma me të cilën jam i dëmtuar-vlera prej 700 euro, plus dëmin që me kanë shkaktuar për çështje të imazhit tim,” thotë Gutaj.

Por drejtori i administratës Armend Vokshi mohon se Gutaj do të kompensohet për miksetën.

“Përderisa unë nuk i kam kërkuar që të blejë miksetë, ose nuk e kam shantazhuar që ta bëjë një gjë të tillë, si mundem unë ta pranoj apo t’ia paguaj një faturë e cila nuk ka shkuar me procedura në rregull.  I kam thënë disa herë, pse të blesh miksetë kur ke mundur të bësh zëvendësimin e miksetës,” thotë Armend Vokshi.

Sipas Vokshit, Gutaj mund të bëjë çfarë të dojë me miksetën e tij.

“Ajo miksetë është e tija personale dhe ai mund ta marrë atë miksetë n’dashtë ta kthej, n’dashtë ta shesë, n’dashtë t’i bëj gjithçka,” thotë drejtori Vokshi.

Bekim Gutaj nuk do të ndalet me kaq. Policia konfirmon se ai është ankuar.

“Kemi marrë një parashtresë nga përfaqësuesi i autorizuar i zotit Bekim Gutaj që kinse pretendon që rasti është manipulu nga ana e policisë, apo pretendon që ka pasur trysni nga eprorët e tij. Të njëjtën shkresë së bashku me disa shkresa të tjera përcjellëse ne I kemi dërguar në prokurori dhe jemi në pritje të udhëzimeve shtesë lidhur me rastin,” shpjegon Gjokaj.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës Shpresa Bakija bëri të ditur për KALLXO.com se rasti në fjalë është pranuar nga policia me datë 20 gusht 2014, por për shkak të numrit të madh të lëndëve ende nuk ka arritur të shqyrtohet.