Hetime për miliona deri te dënimet për evazion fiskal pas raportimeve të KALLXO.com

Raportimet dhe hulumtimet e KALLXO.com edhe këtë javë kanë rezultuar me hetime dhe nisje të procedurave ndaj personave të dyshuar, nga ana e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Gjatë kësaj jave, KALLXO.com ka raportuar impaktet e shkrimeve, hulumtimeve të mëhershme dhe aktuale, siç janë: intervistimi i të dyshuarve nga ana e policisë  lidhur me betonimin e autostradës nga familja e zëvendësministrit të AAK-së, pamjet nga operacioni i ATK-së ku gjobiten bizneset e parkingjeve në Prishtinë, mbi 6 mijë euro gjoba ndaj bizneseve pas raportimeve në KALLXO.com, si dhe bastisja e ATK-së në biznesin që tallej me mërgimtarët.

Gjithashtu, gjatë kësaj jave KALLXO.com në Prokurori i ka nisur edhe dy raste të tjera të keqpërdorimeve.

Të mërkurën, drejtori i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, Riza Shillova ka thënë se rasti i hulumtimit të KALLXO.com i cili zbardh mënyrën se si kompania e familjes së zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, është përfshirë në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan, është rast i shënjestruar dhe është duke u hetuar, por që ende nuk ka ndonjë person të arrestuar.

Në shkurt të këtij viti, në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan gjetjet e një hulumtimi katër mujor i cili zbardh mënyrën se si kompania e familjes së zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, është përfshirë në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan.

Hulumtimi tregon se kompania “Pro-Eng”, pronë e familjes së zëvendësministrit Rexhep Kadriu, furnizimin me beton për autostradën Prishtinë-Gjilan e bën përmes disa kompanive të nën kontraktuara.

Edhe vet Kadriu për “Drejtësia në Kosovë” e ka pranuar se kompania e familjes së tij furnizon me beton kompaninë “Morava-Mont”, e cila furnizon me beton punimet në autostradën Prishtinë- Gjilan.

Në lidhje me këtë rast, Poicia e Kosovës kishte bërë të ditur për KALLXO.com se janë duke e hetuar rastin.

Ndërkaq, gjatë kësaj jave, KALLXO.com ka pyetur sërish në polici në lidhje me zhvillimet dhe hetimet për këtë rast.

Drejtori Shillova ka thënë se rasti i keqpërdorimeve në autostradën në Gjilan është i shënjestruar.

“Policia ka grumbulluar dokumentacion përkatës, që ka të bëj me dyshimet për këtë rast ka intervistuar persona edhe dëshmitarë, edhe të dyshuar lidhur me rastin dhe më tutje presim autorizime të tjera edhe nga prokuroria. Rasti është në faza të hershme, nuk kemi ende ndonjë veprim operacion, apo persona të arrestuar, por besoj se do të ec mirë, po shpresojmë që do të zbardhim të gjitha dilemat që kanë të bëjnë për këtë rast”, theksoi Shillova për KALLXO.com.

Pamjet nga operacioni i ATK-së ku u gjobitën bizneset e parkingjeve në Prishtinë

Gjatë kësaj jave, KALLXO.com ka raportuar se si një operacion i zhvilluar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në fillim të janarit ka rezultuar me afër 9 mijë euro gjoba për bizneset të cilat menaxhojnë parkingjet në Prishtinë.

Pamjet nga operacioni janë filmuar në fillim të janarit dhe u transmetuan për herë të parë në KALLXO.com.

Operacioni kishte cak parkingjet të cilat gjenden në zonën e qendrës së Prishtinës dhe ku klientët për pagesat e parkingjeve nuk pajiseshin me kuponë.

Në inspektimin e parë inspektori ka zbuluar 46 makina që nuk kishin kuponë fiscal, ndërsa biznesi kishte pajisur vetëm pesë makina me kuponë fiskal.

Pamjet shfaqin makina të cilat janë parkuar e për të cilat nuk ka kuponë e po ashtu reagimin e pronarit i cili arsyetohet për shkelje.

Në biznesin tjetër po ashtu në qendër të Prishtinës inspektorët zbulojnë se asnjë makinë nuk është pajisur me kupon fiskal. Aty madje punonjësit refuzojnë tu japin qasje inspektorëve në librat dhe dokumentet e biznesit.

Në biznesin e tretë të kontrolluar një parking i cili ka hapësire për mbi 100 makina inspektorët zbulojnë se parking nuk ka fare arkë fiskale ndërsa asnjë klientë nuk është pajisur me faturë fiskale e cila ofrohet në rastet kur mungon kuponi fiskal.

Gjetjet e hasura në aksionin e janarit janë analizuar nga departamenti i ZGjONA, njësia e cila shqipton gjobat për bizneset që shkelin rregullat tatimore.

Florent Rrahmani zyrtar në ATK ka thënë për KALLXO.com, se nga inspektimi i janarit ZGjONA ka shqiptuar 37 gjoba në vlerë prej 8 mijë e 750 euro.

Gjobat ndaj bizneseve pas raportimeve në KALLXO.com

Të mërkurën e kësaj jave, KALLXO.com ka raportuar se Administrata Tatimore e Kosovës ka shqiptuar 22 gjoba ndaj bizneseve në shumë prej 6 mijë 397 euro, pas raportimeve në KALLXO.com.

10 nga këto gjoba u janë shqiptuar dyqaneve të cilat merren me shitblerjen e telefonave.

Shuma me të cilën janë gjobitur këto dyqane është 2 mijë e 358 euro, ndërsa, gjobat erdhën pas konstatimit të parregullsive dhe trajtimit të rastin në zyrën e ndëshkimeve.

12 gjobat e tjera në vlerë prej 4 mijë e 39 euro janë shqiptuar ndaj bizneseve të ndryshme për të cilat KALLXO.com ka dërguar informacion për vjedhje tatimore.

Këto gjoba janë shqiptuar gjatë periudhës prill – qershor 2019.

Gjatë kësaj periudhe me kërkesë të KALLXO.com, Administrata Tatimore e Kosovës ka inspektuar 22 biznese duke përfshirë dyqane që merën me shit blerjen e telefonave, restorante, dyqane te cilat merren me fotografi, kafeteri etj.

Muaj më parë ATK në bazë të raportimeve në KALLXO.com, kishte ndëshkuar bizneset në shumë prej 27 mijë e 975 euro. Këto gjoba ishin shqiptuar gjatë periudhave janar – mars 2019.

Gjithashtu, gjatë asaj periudhe pas raportimeve në KALLXO.com, Administrata Tatimore e Kosovës ka inspektuar 17 biznese duke përshirë, lojëra të fatit, restorante, kompani të autobusëve dhe kurse të gjuhëve, pas kontrollit të të cilave ka shqiptuar 20 gjoba.

Shteti tregon dhëmbët: ATK bastis biznesin që tallej me mërgimtarët

Javë më parë KALLXO.com publikoi një video-material ku menaxheri i një pishine në Lipjan nuk i ofronte kupon fiskal një mërgimtari.

Fjalitë si “Paguaj sepse ke pi”, ose “Nuk kemi arkë”, ishin disa prej mesazheve të dhëna në materialin e publikuar.

Informacioni është bartur tek Administrata Tatimore e Kosovës dhe sot në mëngjes (e diel) bazuar në raportimin e KALLXO.com inspektorët kanë kryer kontrolle në këtë biznes.

Aty inspektorët kanë zbuluar mospërputhje në faturat e lëshuara dhe numrit të klientëve në pishinë.

KALLXO.com ka sjellur fotografi nga aksioni i ATK-së, ndërkaq Materialet filmike do të publikohen gjatë javës së ardhshme.

Gjithashtu, gjatë kësaj jave KALLXO.com në Prokurori i ka nisur edhe dy raste të tjera.

Në rastin e parë bëhet fjalë për Sabahudin Bytyqi, i cili në muajin mars të vitit 2019 është zgjedhur drejtor i Spitalit Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”.

Bytyqi përveç që ishte kirurg në këtë Spital, në të kaluarën kishte fituar disa tenderë me biznesin e tij NTP “Gimmi”, që në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve është e regjistruar si biznes që merret me tregtinë e artikujve ortopedikë, farmaceutikë dhe mjekësorë.

I njëjti biznes ka siguruar disa kontrata në të kaluarën nga Spitali Rajonal i Gjakovës.

Sabahudin Bytyqi me biznesin e tij “Gimmi” me 28 tetor të vitit 2008 kishte përfituar tender “Furnizim me pajisje dhe inventar medicial” me vlerë prej 29 mijë eurove. Një tjetër tender që kishte përfituar Bytyqi ishte edhe ai me datë 1 shtator të vitit 2010 ku gjithashtu për furnizim me inventar medicinal, “NTP Gimmi”, kishte përfituar tenderë në vlerë prej 19 mijë e 300 eurove.

Spitali “Isa Grezda” kishte vazhduar dhënien e tenderëve për kirurgun Bytyqi edhe në vitin 2013, ku me 2 korrik të këtij viti, firma “Gimmi” kishte fituar tenderin në vlerë totale prej 39 mijë eurove.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Bytyqi ka thënë se fakti që kompania e tij ka fituar kontrata nga Spitali ku ka punuar nuk është konflikt interesi, pasi në spital nuk ka pas ndonjë pozitë udhëheqëse apo menaxheriale.

“Konflikt interesi është nëse do të isha shef i repartit, përndryshe e kom pas parasysh atë, ma kanë tërheqë vërejtjen në fillim si kom konkuru prej herës së parë. Duhet me pas post udhëheqës ose menaxherial, a këto të tjerat nuk janë me rëndësi”, ka thënë Bytyqi.

Ndërkaq, rasti i dytë ka të bëjë me gjetjet skandaloze të Auditorit në Ujësjellësin e Prizrenit.

KALLXO.com ka raportuar se Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kundërt për pasqyrat financiare të Kompanisë rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor- Prizren”. Ky opinion jepet në rastet kur Auditorit konstaton se Pasqyrat Financiare Vjetore nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

Auditori ka listuar keq-deklarimet që janë bërë nga kjo ndërmarrje në pasqyrat financiare të saj.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit të Prizrenit nuk kishte bërë rivlerësimin e pasurive që nga vitit 2007, ndërkohë që më ligj kërkohet që riverësimit të bëhet njëherë në 3 deri në 5 vjet.

Auditori ka gjetur se kjo kompani ka bërë mbivlerësimin e të hyrave afariste.

Gjithashtu, Auditori ka konstatuar se rrjedha e parasë nga aktivitetet operative dhe financuese nuk paraqesin pamje të drejtë.

Borxhet e palëve të treta ndaj kompanisë, sipas Auditorit ishin mbivlerësuar për 133,104 euro. Në të njëjtën kohë, borxhet e kompanisë ndaj palëve të treta ishin mbivlerësuar për 8,121 euro. Vlera e stoqeve ishte mbivlerësuar për 403 mijë euro.

Auditori ka gjetur se Kompania në fund të vitit 2018 në llogaritë e saj posedon 9,588€ nga pagesat e klientëve pa adresë, pagesat e panjohura në ekstrakt si dhe pagesat që bëhen gabim në llogaritë bankare të kompanisë.

Hidroregjioni Jugor kishte përgatitur strategji për zvogëlimin e humbjeve të ujit për vitet 2018-2022.

Edhe për kundër përpjekjeve gjatë vitit 2018, uji i pa faturuar apo siç quhet ndryshe humbja e ujit ishte 57%, përderisa në vitin 2017 humbja e ujit në këtë kompani ishte 58%.

Humbjet e ujit sipas raporteve të ARRU-së janë për shkak të humbjeve teknike (rrjedhjet), humbjet komerciale (lidhjet ilegale, pasaktësitë gjatë leximit të ujëmatësve, faturimi pa ujëmatës, etj.) dhe një sasi e humbjeve të autorizuara (objektet e kultit, zjarrfikësit, fontanat publike, etj.)