Haziri: Nuk Do të Prishet Koalicioni me “Vetëvendosjen”

Pavarësisht kritikave të liderit të “Vetëvendosjes” Albin Kurtit që në një takim me qytetarët e Prishtinës i ka cilësuar anëtarët e bllokut LDK-AAK- Nisma si hajna të dorës së dytë, pas PDK-së, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri mohoi se LDK-ja do të shqyrtojë mundësinë e prishjes së koalicionit me VV-në.

“Jo ne nuk do të prishim koalicionin me ‘Vetëvendosjen’, mezi e kemi bërë atë”, tha Haziri.

Haziri i bëri këto komente para ndërtesës së LDK-së.

Kurse, sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri  mohoi se Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mbajë mbledhje për të shqyrtuar deklarimet e fundit të liderit të “Vetëvendosjes”, Albin Kurtit.

“Unë jam sekretar i përgjithshëm i partisë, unë ju tregoj që nuk ka mbledhje të Kryesisë së LDK-së. Si mund të diskutohet kur nuk ka mbledhje”, u  tha Beqiri gazetarëve, të cilët ishin mbledhur para selisë së LDK-së në “Qafë.”

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, në një postim në Facebook u shfaq në vijë të njëjtë me bashkëpartiakët e tij.

Nuk jemi në kohë fushate. Jemi bashkuar me qëllim që të hapim perspektivë për zhvillimin e vendit dhe për funksionimin e shtetit ligjor. Nga partnerët tanë presim qasje konstruktive dhe pozitive në rrugën në të cilën jemi nisur. Çdo projekt mund të realizohet vetëm nga ata që i besojnë dhe besojnë në njëri tjetrin”, shkroi Mustafa në profilin e tij.

Ndryshe, përfaqësuesit e koalicionit LDK-AAK-Nisma, pa Vetëvendosjen, të enjten i kanë dërguar kërkesë presidentes, në mënyrë që ajo t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për një sqarim shtesë të aktvendimit KO.119/14, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për konstituimin e institucioneve.