Hahn të Premten i Drejtohet Kuvendit, Veseli Optimist për Zhbllokim

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, do t’i drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës të premten e ardhshme me një fjalim, 10 ditë pasi Kosova dhe BE nënshkruan Marrëveshjen për Stabilizim- Asocim.

Për datën e fjalimit të Hahn para deputetëve vendosi sot kryesia e Kuvendit në të cilën mori pjesë edhe anëtarja e kryesisë nga Vetëvendosje, Aida Dërguti.

Duke qenë se kjo është hera e dytë rresht që Dërguti po merr pjesë në mbledhje të kryesisë, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli shfaqi optimizëm për normalizim të situatës në seancat e ardhshme të këtij institucioni.

Ai tha se “normaliteti ne Kuvend është vetëm çështje kohe”.

Veseli tha se pret mirëkuptim edhe nga Lista Serbe ndaj kërkesës së Presidentes Atifete Jahjaga për ta dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.