Hahn: Liria e Medias në Ballkan e Panegociueshme

“Liria e fjalës në disa vende që aspirojnë të hyjnë në BE është në rënie, por BE-ja është gati të përballet me këtë kërcënim,” tha komisioneri evropian Johannes Hahn në konferencën e tretë “SpeakUp!” në Bruksel.

Në fjalimin e tij në konferencën e organizuar nga Komisioni Evropian, Hahn foli për shqetësimin e disave se BE-ja ka “humbur interesin” në lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi.

“Më lejoni të jem shumë i qartë: liria e medias është në qendër të procesit të integrimit në BE dhe nuk negociohet,” tha Hahn.

Ai përmendi vendime të gjykatave, kërcënimin e gazetarëve kritikë, pronësinë jo-transparente të medias dhe shpenzimin e parave publike mbi median pa asnjë llogaridhënie si disa nga problemet kryesore në vendet që do të jenë pjesë e BE-së.

“Kur vëzhgojmë panoramën e medias në rajonin që do të jetë pjesë e zgjerimit, shohim gjithnjë e më pak mundësi për median, të paktën në disa vende, më pak histori investigative dhe madje zhdukjen e emisioneve televizive që kritikojnë,” theksoi Hahn.

Komisioneri nënvizoi nevojën për të siguruar pavarësinë e televizioneve në shërbim të publikut, forcimin e agjencive rregullatorë dhe mbrojtjen e vetërregullimit funksional të medias.

Ai gjithashtu tha se Komisioni do të lëshojë rekomandime për të vepruar gjatë 12 muajve të ardhshëm dhe do të ofrojë mbështetje që ato veprime të zbatohen me udhëzime të nxjerra nga konferenca e dytë SpeakUP! Mbajtur në qershor 2013.

Konferenca e mësipërme iu dedikua veçanërisht sfidave më të cilat përballet liria e medias në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi.

“Ju e dini më mirë se unë fuqinë e lirisë së fjalës dhe kërcënimet me të cilat ajo përballet. Sfida jonë këtu është të shtojmë fuqinë e saj dhe të përballemi me kërcënimet. Ju siguroj se Komisioni Evropian është dhe mbetet i angazhuar për këtë çështje,” tha Hahn.