Gropat dhe Pusetat e Hapura Rrezikojnë Qytetarët e Prishtinës

Një pusetë e hapur po u sjell probleme banorëve të lagjes “Holger Petersen “  në “Fshatin Ndërkombëtar” afër Pallatit të Drejtësisë, derisa një gropë tjetër është hapur në skaj të rrugës në Hajvali.

Thellësia e pusetës është e madhe dhe kjo paraqet rrezik për gjithë njerëzit që u bie të kalojnë andejpari.

Banori i kësaj ane Baki Bajrami tha se problemi më i madh më këtë pusetë është atëherë kur nuk ka dritë.

“Zakonisht kur është terr ka shumë pengesa se nuk shihet dhe ka dikund që tri jave që është hapur kanali,” thotë ai.

Bajrami tregon se edhe veturat e kanë vështirë t’i shmangen pusetës sidomos gjatë natës duke pësuar dëme financiare nëse bien në të.

Edhe Bajram Sopa thotë se për t’iu shmangur pusetës së hapur në mes të rrugës shoferët e makinave lëvizin në të dy skajet e saj, duke rrezikuar edhe këmbësorët, pasi në këtë vend nuk ka trotuar.

“Këtu plus nuk ka trotuar mundohesh me ik edhe prej këmbësorëve, plus janë gropat e hapura, kapakët e pusetave” thotë ai.

Përveç kësaj pusete, në Hajvali është hapur edhe një gropë e thellë tri metra skaj rrugës automobilistike.

Hysni Demolli që jeton afër vendit ku është hapur kjo gropë thotë për KALLXO.com se gropa është krijuar që nga data 23 janar.

“E kam thirrë emergjencën dy herë, kanë thënë se menjëherë e dërgojnë ekipin por nuk ka ardhë  askush. E kam thirrë komunën kanë ardhë brenda gjysmë ore, në prezencën time e kanë thirrë dikën që të vijnë ta mbyllin menjëherë, por askush nuk ka ardhur,” u shpreh ai.

Daljen në terren për mbylljen e kësaj grope e konfirmon edhe zëdhënësja e Komunës së Prishtinës Miranda Mullafazliu, pa treguar se si do të mbyllet ajo

“Sa i përket gropës në Lagjen Hajvalia, ekipi i Komunës së Prishtinës ka qene ne terren dhe është identifikuar problemi dhe shume shpejt do te gjendet një zgjidhje adekuate në mënyrë që të evitojmë çfarëdo rreziku për qytetarët që e frekuentojnë atë pjese,” thotë Mullafazliu.

Ajo akuzon persona të papërgjegjshëm për heqjen e kapakut të pusetës pranë Pallatit të Drejtësisë.

“ Kapakët në Rrugën e Hajvalisë janë vendosur si pjesë e sanimit të përkohshëm, deri sa të fillojë rregullimi i rrugës në pranverë kur kushtet atmosferike janë të përshtatshme për vazhdimin e punëve te infrastrukturës. Ne atë rruge kane qene te vendosura kapakët por janë zhvendosur nga persona te papërgjegjshëm,” arsyetohet zëdhënësja Mullafazliu.

Rruga mu në vendin ku kalojnë këmbësorët është shkatërruar edhe në afërsi të Shkollës Fillore “Iliria”.

Sami Bllaca që jeton këtu, thotë se rruga e prishur po pengon edhe këmbësorët edhe makinat.

“Çdo tri-katër ditë pa e dërgu veturën të mjeshtri është e pamundur prej tyre, ju lutem ta ndreqni më mirë e më shpejt para se të ndodhë ndonjë aksident edhe më i rëndë me hup edhe jetën në të,” thotë Bllaca.

Për rrugën te shkolla “Iliria” komuna ka një tjetër përgjigje.

“Kompania e Ujësjellësit është duke e bërë ndërrimin e gypave ne rrjetin e kryeqytetit dhe po detyrohet të intervenojë në rrugë, gjë që shpeshherë po paraqet pengesë në qarkullimin e qytetarëve. Po ashtu, ujësjellësi e ka për obligim që me të përfunduar punët, ta bëjë riparimin e rrugëve në të cilat ka intervenuar, duke i kthyer në gjendjen e mëparshme,” thotë zëdhënësja e komunës Miranda Mullafazliu.

Ajo tregon se komuna i ka kërkuar ujësjellësit mirëmbajtjen e rrugëve, pasi moti nuk është i përshtatshëm për rregullimin e tyre.

“Meqë kushtet klimatike nuk janë të përshtatshme për te shtruar rruge, Drejtoria e Infrastrukturës vazhdimisht ka kërkuar nga ujësjellësi qe se paku ta bëjë mirëmbajtjen e këtyre rrugëve në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i trafikut dhe këmbësorëve”.