Greva e Gjyqtarëve Shtyn Seancën ndaj Deputetes Duda Balje

Në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prizren të premten ishte planifikuar të mbahej seanca gjyqësore kundër deputetes së Kuvendit të Kosovës Duda Balje që akuzohet për mosdeklarim, ose deklarim të rremë të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Prokuroria e Shtetit ngarkon Baljen për kryerje të veprës penale mosraportim, ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale, ose detyrimeve financiare, vepër kjo e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës me gjobë dhe burgim prej 6 muajve deri në 5 vjet.

Deputetja Balje, sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit, akuzohet se më datën 28 mars 2013 në kohë të papërcaktuar në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë në cilësinë e zyrtarit të lartë publik në formularin për deklarimin e pasurisë ka qenë e detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë dhe nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë.

Duda Balje, ka paraqitur vetëm pagën bazë si deputete në shumën prej 17 mijë e 856 euro, ndërsa në bazë të të dhënave të Kuvendit të Kosovës është konstatuar se të hyrat vjetore nga Kuvendi për deputeten Duda Balje janë 24 mijë e 327 e 19 euro.

Diferenca e mosdeklarimit të pasurisë është 6 mijë e 471 e 19 euro, diferencë të cilën deputetja Balje e merr për pjesëmarrje në seancat dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Një aktakuzë e njëjtë qe ngritur edhe kundër ish-deputetit Nait Hasani, por ai u shpall i pafajshëm më 14 janar 2015.