Gratë Deputete Akuzojnë dhe Mbrojnë Kadri Veselin

Shprehja “Çka po bërtet si gru e keqe” që iu tha një deputeti nga kryeparlamentari Kadri Veseli në seancën e 23 tetorit po shqetëson avokuesit e barazisë gjinore në Kosovë.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës këto fjalë të kryetarit të Kuvendit i konsideron si “sjellje të pahijshme dhe të patolerueshme”.

Ky rrjet thotë se Veseli ka shkelur nenin 41 të rregullores së Kuvendit që e obligon kryeparlamentarin të kujdeset për “rregull dhe mbarëvajtje të mbledhjeve në Kuvend”.

“Në vend që të sigurohet për mbajtjen e rendit, ai bëri sjellje të pahijshme dhe të patolerueshme, përdori ‘gjuhë joparlamentare’ dhe më saktësisht përdori ‘gjuhë ofenduese’ ndaj grave,” thuhet në reagimin e rrjetit të grave.

Sipas këtij rrjeti, Veseli “ka shkelur Ligjin kundër Diskriminimit (2015) dhe më specifikisht Ligjin për Barazi Gjinore (2015) duke shkaktuar ‘diskriminim’ gjinor:  ‘kur një individ trajtohet në mënyrë më pak të favorshme për shkak të gjinisë’”.

Rrjeti është ndier i ofenduar edhe nga deklarata e deputetes së LDK-së Besa Gaxherri gjatë një interviste të saj në “Klan Kosova”.

Sipas rrjetit, Gaxherri tha se fjalët e përdorura nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në seancën parlamentare të së premtes mbrëma mund të falen pasi që “ai është burrë”.

“Si një grua deputete, znj. Gaxherri, duhet t’i vijë turp që toleron, në vend se të dënojë fjalorin diskriminues të përdorur ndaj grave në parlament,” thuhet në komunikatën e Rrjetit të Grave.

Por deputetja Besa Gaxherri, thotë për KALLXO.com se deklarata e saj u keqinterpretua nga mediat.

“Unë nuk kam deklaruar ashtu, mediat më kanë nxjerrë prej konteksti….Ky Rrjet i Grave, si duket se ka dëgjuar mirë deklaratën time,” thotë Gaxherri.

Deputetja shpjegon se në të njëjtin emision ka thënë edhe “Nuk ka gra më të këqija, sesa ata burra që janë sjellë mbrëmë ashtu”.

Gaxherri është e bindur se kërkimfalja e Veselit nuk mjafton.

“Unë jo që e dënoj, por mendoj që çdo kërkimfalje e z. Veseli është e pakët, edhe dorëheqja e tij është e pakët, në krahasim me ofendimin që u bë ndaj grave. Unë do të kërkoj që jo vetëm të merren masa ndaj Veselit, por edhe të caktohet një pikë e veçantë në një seancë në Kuvend që të diskutohet për fjalor të tillë,” thotë Gaxherri.

Ajo nuk përkrah as sjelljet e deputeteve të opozitës në mbledhjen ku njërës nga to Veseli i tha “Çka po bërtet si gru e keqe”.

Deputete me qëndrime të ndryshme për Kadri Veselin

Në përgjithësi, gratë deputete në Kuvend kanë qëndruar indiferente ndaj kësaj deklarate të Veselit.

Por njëjtë indiferente ato nuk kishin qëndruar para disa vitesh, kur një deputet i LDK-së, Arben Gashi, me një gjuhë joparlamentare përshkroi takimet e ish ministres për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, me një zyrtar të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Menjëherë pas kësaj deklarate, gratë deputete të të gjitha partive politike u larguan nga Kuvendi, ndërsa deputeti Gashi më pas e tërhoqi fjalën dhe kërkoi falje.

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është i formuar Komisioni për Barazi Gjinore dhe të Drejta të Njeriut.

Ky komision disa herë ka qenë i zëshëm për të drejtat e grave në vend, si dhe fjalorin e përdorur ndaj tyre si në institucione publike, po ashtu edhe në private.

Por pas fjalëve të Veselit ende nuk pati reagim nga anëtarët e këtij komisioni.

Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së dhe anëtare e Komisionit për Barazi Gjinore, thotë se sikur të merrte pjesë në mbledhjet e këtij komisioni, do të kërkonte marrje të masave ndaj Kadri Veselit.

“Atë ditë që unë do të kthehem në Komision, do të kërkoj që kjo punë të mos mbetet me një falje aq të thjeshtë nga i pari i Kuvendit,” thotë Haxhiu.

Opozita përveçse po pengon punën e Kuvendit, nuk po merr pjesë as nëpër mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Por fjalët që Veseli përdori natën e 23 tetorit, Haxhiu thotë se i kanë ofenduar të gjitha kosovaret, pa dallim.

“Një fjalor i tillë, na ka ofenduar të gjithave, të gjitha femrave në përgjithësi. Nga z. Veseli më së paku është pritur një gjë e tillë”, thotë Haxhiu.

Mexhide Mjaku-Topalli, anëtarja tjetër e Komisionit për Barazi Gjinore dhe deputetja e PDK-së, megjithëse fjalët e Veselit i konsideron të pamatura, e arsyeton deri-diku kryeparlamentarin.

“Këto fjalë të lëshuara nga goja e Kryeparlamentarit janë të pamatura, unë s’di çka të them, sepse e dini ju çfarë situate ka qenë dhe mund të dalë diçka që t’i kurrë s’ke dashtë me e thënë,” thotë Mjaku-Topalli.

Për të, Kryeparlamentari ishte në stresin e situatës, ndërsa një fjalor i tillë nuk ka nevojë as të diskutohet.

“Gjërat që janë më madhore, po largohen nga mediat dhe po merreni më gjëra shumë të imëta, shumë, shumë të imëta,” thotë Mjaku-Topalli.

Ajo tregon se nuk i ka dëgjuar këto fjalë, pasi në ato momente nuk e ka ditur ku ka qenë.

Në natën mes 23 e 24 tetorit, kur Veseli i tha këto fjalë, opozita në përpjekje për ta ndërprerë punën e Kuvendit, disa herë hodhi gaz lotsjellës në sallën e mbledhjes dhe afër zyrës së kryeparlamentarit.

Mexhide Mjaku-Topalli thotë se për fjalorin e përdorur nga Veseli nuk do të kërkojë të diskutohet në Komisionin për Barazi Gjinore.

“Unë nuk kam me kërku me u diskutu në komision për këtë fjalor, s’ ka nevojë… unë nuk dua ta komentoj a e përkrahi, a jo këtë fjalor. S’kemi pas kohë me u marrë me këto gjëra të imta, seriozisht po e them, shumë të imta,” thotë Mjaku-Topalli.

Menjëherë pasi është shprehur në atë mënyrë, Kadri Veseli ka kërkuar falje për fjalët që ka përdorur.