Gjyqi i Parkut të Biznesit në Drenas Drejt Fundit

I akuzuari i fundit paraqiti sot fjalën e tij përfundimtare  në rastin ku të akuzuar janë katër ish zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe një biznesmen lidhur me rastin e keqpërdorimeve në ndërtimin e Parkut të Biznesit në Drenas.

Hilmi Bellopoja, biznesmeni që akuzohet për shpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe dhënie të ryshfetit paraqiti fjalën e tij përfundimtare.

“Prokuroria nuk ka arritur të mbështesë pretendimet e saj lidhur me asnjërën nga pikat e akuzës për të cilat akuzohet klienti im”, tha Abit Asllani, avokat i Bellopojës, në fjalën e tij përfundimtare.

Në këtë rast përpos Bellopojës  të akuzuar  janë edhe Nexhat Avokati Sadri Hykosmani, Safet Fazliu dhe Adem Zogiani , zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ish zyrtarët e MTI-së akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me projektin e “Parkut të Biznesit” në Drenas, ndërsa Hilmi Bellopoja si pronar i Kompanisë “Eltoni” për keqpërdorim të udhëzimeve në ekonomi të lidhura me këtë park.

Parku i Biznesit, më i madhi i këtij lloji në vend, i shtrirë në 24 hektarë të tokës së Drenasit, njëzet kilometra larg nga Prishtina në drejtim të Pejës, nisi të ndërtohej nga MTI-ja në nëntorin e vitit 2005 për të përfunduar në dhjetor të 2007-ës.

Avokati Abit Asllani tha për KALLXO.com se nuk është provuar fajësia e klientit të tij.

“Ne e kemi dorëzuar me shkrim më herët fjalën tonë. Nga shqyrtimi pranë kësaj gjykate nyuk është vërtetuar me prova të padyshimta për veprën penale për të cilat është ngarkuar”, tha Asllani.

Asllani tha se e tërë aktakuza është e bazuar në  një deklaratë vetakuzuese të Hilmi Bellopojës, por se kjo nuk është mbështetur me prova tjera.

“Shqyrtimi kryesor nuk ka treguar asnjë provë relevante, përveç një deklarate vetë-akuzuese në lokalet e policisë dhe organit të ndjekjes. Gjatë shqyrtimi kryesor nuk është vërtetuar me prova shtesë ashtu siç e kërkon ligji”, tha Asllani.

Pas paraqitjes së fjalëve përfundimtare u caktua që dita e hënë kur do të dihet epilogu i këtij gjyqi.