Gjykimi për Zënkën që u Kthye në Vrasje

Qershor 07, 2014 – Dy vëllezër akuzohen për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Njëri prej tyre dyshohet se ka vrarë me dashje Faik Bytyqin, ndërsa tjetri se ka pasur në pronësi armë të palajmëruar te organet përkatëse. Vrasja kishte ndodhur, pasi të akuzuarit ishin zënë me vëllezërit e viktimës.

Ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren akuzonte Ismajl Krasniqin se më 24 prill prill 2012 kishte vrarë me dashje Faik Bytyqin, ndërsa vëllain e Ismajlit Hajdinin e ngarkonte për armëmbajtje pa leje. 

Pas riorganizimit të gjykatave dhe prokurorive në Kosovë nga 1 janari i vitit 2013, kjo lëndë në bazë të ndarjeve territoriale i shkoi për shqyrtim Gjykatës Themelore në Gjakovë. 

Prokuroria shpjegon në aktakuzë se ngjarja e rëndë kishte ndodhur pas një zënke mes të akuzuarve dhe vëllezërve të viktimës. Të akuzuarit dyshonin se vëllezërit e tashmë të ndjerit Faik Bytyqit kishin kryer një vjedhje në shtëpinë e tyre. 

Për ta sqaruar këtë vjedhje Faik Bytyqi kishte ardhur me automjetin e tij drejt shtëpisë së Ismajl e Hajdin Krasniqit, duke u takuar me tash të akuzuarit në rrugë. 

Drejt tashmë të vrarit kishte shtënë me pesë plumba Ismajl Krasniqi. Vëllezërit Krasniqi janë nga Rahoveci. 

Të martën e të mërkurën në këtë proces gjyqësor dëshmuan një numër i madh personash, mes tyre edhe mjekë ligjorë. 

Në seancë, dëshmitari Naim Uka, mjek ligjor, u mundua ta shpjegojë se si ka ndodhur vrasja e Bytyqit. Eksperti gjatë seancës tregoi plagët e të ndjerit ne bazë te raportit te përpiluar.

Dëshminë e dha edhe dëshmitari okular Gëzim Berisha. Ai tregoi se çkishte parë ditën kur u vra Faik Bytyqi. 

“Kam qenë në një barnatore duke blerë ilaçe, kur kam dëgjuar një krismë. Kam parë Ismajlin të shtrirë në tokë dhe posa kam shkuar për t’i ndihmuar ai e ka kapë armën dhe ka ikur me ndjenjën se diçka e keqe ka ndodhë”, shpjegoi Berisha. 

Për të dyshuarin për vrasje folën edhe mjekët e Institutit të Psikiatrisë dhe Forenzikës Fahri Drevinja dhe Ajet Bunjaku. Bunjaku tha se tek i akuzuari Ismalj Krasniqi nuk vërehen shenja te sëmundjes mendore as të përkohshme e as të përhershme. 

Ekspertët mjekësorë vlerësuan se veprimet që çuan në vrasjen e Faik Bytyqit kanë ndodhur në gjendjen e afektit mendor. 

“Në ditën kritike i njëjti ka qenë në gjendje të tensionit të shtuar mendor dhe në gjendje të ngarkuar emocionale dhe ka gjasa qe te i njëjti te jetë akumuluar gjendje afekti e cila e ka bërë te veten”, tha Ajet Bunjaku. 

Avokatët e të dyja palëve e pyetën ekspertin se çfarë do të thotë “afekt mendor”. 

“Frika dhe gjendja e tmerrit e përjetuar në atë moment”, shpjegoi Bunjaku.

Në gjykatore dëshmoi edhe Trëndafile Krasniqi, e afërme e të akuzuarve. Ajo tha se në shtëpinë e tyre janë vjedhur 380 mijë euro dhe nga ai moment janë prishur marrëdhëniet mes familjeve të të dyshuarve për vrasje dhe viktimës. 

Seanca do të vazhdojë të hënën, kur pritet që gjykata ta shpallë vendimin për këtë rast.