Gjykata Vendosi për Shaip Surdullin

Ish kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, është shpallur sot i pafajshëm nga një kolegj gjykatësish në Gjykatën Themelore të Gjilanit.

Surdulli akuzohej se në shkurt të vitit 2013, sa ishte duke drejtuar komunën e Kamenicës, kishte keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, në një kontratë me operatorin IPKO me çmimin prej 1,665 euro në muaj duke i anashkaluar të gjitha procedurat e prokurimit.

Gjatë ditës së sotme, fjalën përfundimtare në seancë e dhanë prokurori i rastit Agron Uka dhe avokati i Surdullit, Vaxhid Idrizi.

Trupi gjykues pasi dëgjoi palët u tërhoq për të marrë vendimin.

Pas pauzës, kryetari i trupi gjykues Ilmi Dalipi e liroi Shaip Surdullin nga akuzat. Sipas tij, gjykata ka arritur te ky vendim pasi gjatë zhvillimit të procesi gjyqësor nuk është vërtetuar se ai ka bërë shkelje ligjore.

Dalipi njoftoi palët se kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh.

Surdulli këtë muaj është përballur edhe me një akuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës nga i cili gjithashtu ishte shpallur i pafajshëm.