Gjykata Supreme Mbajti Seancën e Përgjithshme

Kolegjiumi i Gjykatës Supreme nën udhëheqje të kryetarit Fejzullah Hasani dhe në përbërje të gjyqtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ka mbajtur Seancën e Përgjithshme, njofton zyra për informim e Gjykatës Supreme.

Në rend të ditës të kësaj seance ishin diskutime të ndryshme lidhur me çështje të caktuara juridike të vendit, siç janë dhënia e mendimit juridik se kur dënimi me gjobë mund të zëvendësohet me burgim, dhënien e mendimit juridik për afatin brenda të cilit gjykata duhet të vendosë për prapësimet në procedurën përmbarimore,  si dhe kur mund të ngrihet aktakuza pa u zhvilluar hetimet.

Në njoftim thuhet se kryetari i Supremes ka paraqitur opinionet me shkrim dhe njëkohësisht duke dhënë sqarimet e nevojshme gjatë seancës lidhur me këto çështje.

Në fund të seancës, pas një debati të gjithanshëm të gjyqtarëve vendorë dhe të atyre të EULEX-it, me shumicë votash u mor vendim për dhënien e mendimeve juridike si në opinionet e paraqitura me shkrim.