Gjykata Supreme Liron Ukë Rugovën Nga Paraburgimi

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e prokurorit të EULEX-it duke vërtetuar vendimin e Gjykatës së Apelit për lirimin e Ukë Rugovës nga paraburgimi.

Nexhat Shabani, avokat mbrojtës i Ukë Rugovës, ka konfirmuar për KALLXO.com se Supremja e ka vërtetuar vendimin për lirimin e Ukë Rugovës nga paraburgimi.

“Gjykata Supreme e Kosovës e ka gjetur të mbështetur vendimin për lirimin e Ukë Rugovës nga paraburgimi, duke refuzuar kështu kërkesën e Prokurorit për vazhdimin e paraburgimit” tha Shabani

“Gjykata i ka gjetur të pambështetura kërkesën e Prokurorit për caktimin e paraburgimit, njëkohësisht edhe të gjitha veprimet që kanë ndodhur pas lirimit dhe riarrestimit të tij”, u shpreh ai.

Ukë  Rugova. ishte arrestuar fillimisht më 5 shkurt 2014, ndërsa qe liruar më pas nga paraburgimi më 20 qershor 2014 pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila vlerësoi se arrestimi i tij ishte në kundërshtim e Kushtetutën e Kosovës. Menjëherë pas kësaj, ai u arrestua sërish dhe kundër tij u rishqiptua masa e paraburgimit. Mbrojtja e kundërshtoi këtë veprim madje avokati i Ukë Rugovës e kishte cilësuar “nonsens” ri-arrestimin.

Ukë Rugova pastaj u lirua më 20 qershor, ndërsa kjo u kundërshtua nga Prokurori i EULEX-it.

Tani Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur ndaj kësaj ankese duke konfirmuar lirimin e Ukë Rugovës nga paraburgimi, dhe ka konfirmuar masën e arrestit shtëpiak deri më 4 shtator. Sipas vendimit, Ukë Rugova obligohet të paraqitet dy herë në javë në stacionin policor.

Ukë Rugova dyshohet për krim të organizuar, ushtrim ndikimi dhe mashtrim në aferën e dhënies në mënyrë ilegale të vizave italiane.