Gjykata Speciale Nuk do të Merret me Vrasjet e Cilësuara si Politike

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, bëri të ditur sot se gjykata speciale nuk do të merret me vrasjet e konsideruara politike të pas luftës në Kosovë.

Përgjegjësinë për këtë, ministri Kuçi ia ngarkon drejtësisë vendore.

Kuci i cili është edhe kryesues i grupit teknik për shqyrtimin e legjislacionit të pranuar nga BE-ja për themelimin e Gjykatës Speciale, u tha disa deputetëve se kjo gjykatë do të punojë në supozimet e dala nga raporti i Dick Martit.

“Çështjet tjera, gjykatat në Kosovë do të vazhdojnë, nuk do të ndalen”, Kuçi iu përgjigj pyetjes së deputetit të LDK-së, Armend Zemaj i cili kërkoi që gjykata të hetojë edhe vrasjet politike edhe krimin e organizuar.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një homazhi të bërë për Enver Malokun në fillim të këtij viti, kishte kërkuar që vrasjet politike të kolegëve të tij nga LDK që të hetohen dhe gjykohen nga Gjykata Speciale.

“Ne do të mundohemi që maksimalisht që kjo çështje tani të zhvillohet dhe të hulumtohet përmes Gjykatës Speciale, e cila së shpejti do të funksionalizohet”, pati thënë Mustafa.

Po ashtu, më 20 janar një grup i familjarëve të aktivistëve të LDK-së të vrarë në atentate pas lufte, patën organizuar një protestë para qeverisë së Kosovës duke kërkuar që gjykata speciale të hulumtojë vrasjet politike.

Kuçi ishte i ftuar sot në një dëgjim publik nga Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës dhe ndër të tjera u shpreh se krijimi i Gjykatës Speciale është një proces i rëndë dhe i ndjeshëm.

Ministri shtoi se gjyqtarët do të përzgjidhen nga një konkurs ndërkombëtar, të përzgjedhur nga shefi i EULEX-it dhe do t’i raportojnë këtij të fundit.

Ai shtoi se vuajtja e dënimeve nga verdiktet e kësaj gjykata do të bëhet në Kosovë.

“Ne do të përpiqemi të ruhet imazhi i Kosovës dhe do të insistojmë që dhomat mos të jenë të ndara nga sistemi gjyqësor në Kosovë dhe jo jashtë vendit tonë”, ka thënë ai.

Grupi teknik e kishte furnizuar komisioni legjislativ me dokumentet e pranuar nga BE-ja që përbën bërthamën e krijimit të ligjit special për krijimin e Gjykatës Speciale.

Parlamenti i Kosovës, para se të shkojnë në zgjedhjet e parakohshme në qershor të vitit të kaluar, dha miratimin e tij për krijimin e gjykatës, nën presion të fortë nga diplomatët e BE-së dhe SHBA-ve në Kosovë.