Gjykata Speciale Dështon për 5 Vota në Kuvend

18:05

Amendamentet kushtetuese që do t’i hapnin rrugës krijimit të Gjykatës Speciale nuk morën votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata Speciale dështoi pasi që nga 80 vota të nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, numërimi rezultoi në 75 vota Për, 7 Kundër dhe 2 Abstenime.

“Kuvendi nuk e miratoi amendamentin kushtetues dhe me këtë rast mbyll punimet e seancës planare”, tha kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ky amendament nuk kaloi ngaqë duhen 2/3 e votave të deputetëve.

Ndryshe, gjatë seancës deputeti Nait Hasani propozoi që ky amendament të votohet në mënyrë të fshehtë nga deputetët e kuvendit.

Por dolën 60 deputetë dolën kundër këtij propozimi.

Gjatë ditës së enjte, kur po mbahej seanca parlamentare për krijimin e Gjykatës Speciale, pati shumë debate e akuza mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Gjatë muajve të fundit, Kosova u vu nën presionin intensiv të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara për krijimin e kësaj gjykate.

Funksioni i saj parësor parashikohej të ishte hetimi i ish-luftëtarëve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte – kryesisht nga Serbia – gjatë luftës së viteve 1998-1999, e cila kulmoi me disfatën e Serbisë pas bombardimeve të NATO-s mbi Kosovë dhe Serbi.

Një dekadë më vonë, shpallja e pavarësisë së Kosovës shënoi vdekjen faktike të Jugosllavisë.

Gjyqe të mëparshme në Kosovë dhe në Tribunalin e Hagës dështuan të vërtetonin përfshirjen e ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte, dhe Gjykata Speciale synonte të “korrigjonte” pikërisht këto dështime.

16:48

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Gjykata Speciale është një e keqe që i ka ndodhur Kosovës. Këto deklarata i dha të enjten gjatë seancës parlamentare ku po diskutohet për krijimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Speciale pa cinizëm është një e keqe që na ka ndodhur. Po të kishim qenë të aftë nuk kish ardhë Gjykata Speciale për Kosovën hiq. Realisht tani jemi në një realitet të pashmangshëm, për vetë faktin se nuk po na thotë as Rusia as Kina e as Serbia formojeni Gjykatën Speciale”, tha Veseli.

Ai tha se pas gjithë këtij debati nuk po arrijnë të dalin të bashkuar me një qëndrim për Gjykatën Speciale ndërsa u tregoi deputetëve se nuk mund ta ndalin krijimin e kësaj gjykate edhe në rast se nuk votohet.

Kryeparlamentari foli edhe për luftën e UÇK-së duke iu drejtuar bashkëluftëtarëve të tij se nuk do të ndalen arrestimet ndaj tyre por që sipas tij më mirë është të krijohet Gjykata Speciale që njëherë e mirë të pastrohet lufta e UÇK-së.

“Të gjithë bashkëluftëtarët duhet me ditë se nuk kanë me u ndalë arrestimet, veç kanë me u shtuar arrestimet. Po thonë se janë 5-6, munden me kanë edhe 20 kerkush prej neve nuk e din. Realisht veç frikësohemi se kanë me u shtuar sanksionet ndaj Kosovës”, tha Veseli.

Veseli u shpreh krenar për luftën e UÇK-së duke thënë se “ nuk ia heq asnjë presje luftës sime”.

Ai tha se gjatë seancës u bënë shumë atakimeve ndaj Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian për cenim të sovranitetit.

“Nuk e di çfarë sovraniteti do të ndërtojmë pa këtë partneritet”, pohoi Veseli.

16:07

Pasi ka treguar disa fotografi nga masakra në Burgun e Dubravës e majit të vitit 1999, deputeti nga PDK, Nait Hasani ka shprehur kundërshtimin për Gjykatën Speciale dhe ka deklaruar votën ‘kundër’ kësaj gjykate.

“Kjo gjykatë nuk mund të më dënojë mua. Unë nuk mund ta dënoj veten me këtë votim. Nëse votoj ‘pro’, unë them se jam kundër lirisë”, tha Nait Hasani.

“Kërkoj që t’i ndërprejmë fjalimet dhe të hyjmë në pjesën e votimit dhe të kemi votim të fshehtë”, u shpreh ai.

Hasani është deputeti i dytë i PDK-së që deklarohet kundër Gjykatës Speciale. Më parë këtë e bëri deputetja Ganimete Musliu.

15:47

Ganimete Musliu është deputetja e parë e PDK-së e cila publikisht refuzon të votojë në favor të themelimit të Gjykatës Speciale.

Ajo e bëri publik këtë qëndrim të saj sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ajo e dha arsyetimi8n e saj për këtë qëndrim, që është në kundërshtim me qëndrimin e grupit të saj parlamentar, PDK-së.

“Masakrat që kanë ndodhur në Drenicë dhe në Kosovë më thonë që unë t’i them ‘Jo’ Gjykatës Speciale”, tha ajo pasi përmendi të gjitha masakrat që kanë ndodhur në Kosovë.

“Para se të vinin në këtë takim, bashkësia ndërkombëtare do të duhej t’i shpallte të pavlefshme misionet ndërkombëtare në Kosovë”, u shpreh Musliu.

15:34

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu me lot në sy tha se nuk mund të votojë pro Gjykatës Speciale duke ditur se “për hetimin e krimeve që janë kryer në Kosovë nuk po bëhet asgjë”.

“Si mund të votoj kur unë para vetës kam një broshurë të krimeve në Gjakovë dhe kush sot ka dalë para drejtësisë për këto krime. Si mund të votoj unë sot dhe nesër të ndihem e qetë. Si mund të votoj kur sot ne morëm një vendim gjakftohtë dhe nuk ishim në gjendje ta mbrojmë vendin”, tha Haxhiu.

15:31

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, kritikoi themelimin e Gjykatës Speciale, ndërsa dështimin e drejtësisë ia kreditoi misioneve ndërkombëtare të pasluftës që kanë operuar në Kosovë.

“Kosova nuk e meriton këtë gjykatë nëse burimi i dështimit bie mbi EULEX-in dhe UNMIK-ut. Drejtësia ndërkombëtare nuk ka kredibilitet në Republikën e Kosovës”, tha Deda.

Sipas tij, paaftësia qeverisëse në Kosovë nuk mund të arsyetohet me atë që “po na thonë të tjerët”.

Sipas tij, letërkëmbimi Jahjaga- Ashton nuk e parasheh themelimin e një gjykatë jashtë juridiksionit të shtetit të Kosovës.

15:09

Ka rifilluar seanca e Kuvendit të Kosovës pas një pauze më shumë se një orëshe.

Aktualisht para deputetëve po flet deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi.

14:07

Ka përfunduar protesta e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Sapo deputetët e Kuvendit dolën në pauzë, pas disa orësh debat rreth themelimit të Gjykatës Speciale, organizatorët e protestës u bënë thirrje protestuesve që të shpërndahen.

Thirrjen e bëri Faton Klinaku, sekretar i OVL të UÇK-së.

Ndërsa seanca pritet të vazhdojë në orën 15:00.

12:50

Të pranishëm në Kuvend nuk janë kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Thaçi. Aktualisht në sallën e Kuvendit janë prezentë një numër i vogël i deputetëve të PDK-së.

12:46

Sapo ka përfunduar fjalimin para deputetëve, Rexhep Selimi i Vetëvendosjes ka dalë para protestuesve të cilëve u ka bërë thirrje që të mos largohen nga sheshi para ndërtesës së Kuvendit.

“Deputetët po diskutojnë diçka që nuk do të duhej të ishte e diskutueshme. Ju thërras të mos lodheni, sepse kur ne lodhemi ata triumfojnë”, u tha Selimi protestuesve.

12:21

Kryetari i OVL të UÇK-së, duke folur para protestuesve që nuk janë të shumtë në numër para ndërtesës së Kuvendit, u bëri një thirrje deputetëve.

“Unë ju bëj thirrje deputetëve që kanë ni grimë dinjitet të daljn këtu dhe të deklarohen publikisht”, u shpreh Xhavit Jashari.

11:58

Pamje nga protesta e veteranëve të UÇK-së para Kuvendit të Kosovës.

11:37

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje që të votohet Gjykata Speciale.

“Shumë shpejt institucionet e Kosovës do të kërkojnë drejtësi për tentativën e gjenocidit të shtetit serb ën Kosovë”, tha Thaçi.

Ai bëri thirrje që Kuvendi sot të votojë ligjin për Dhomat e Veçanta

“Nuk duhet të ketë çmim apo sakrificë që duhet ta pengojnë përparimin e Kosovës në integrimin evropian dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

11:20

Përveç brenda seancës së Kuvendit, thirrjet për largimin e policisë nga mjediset rreth ndërtesës së Kuvendit po bëhen edhe jashtë, aty ku organizatat e dala nga lufta e UÇK-së po protestojnë kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

“Ne u bëjmë thirrje policisë që të largohen nga këtu sepse ne nuk jemi në masa të dhunshme”, tha Faton Klinaku, sekretar i OVLUÇK-së.

11:15

Ramush Haradinaj i AAK-së gjithashtu kundërshtoi themelimin e kësaj gjykate duke e quajtur atë “një monstrum ligjor”.

“Kjo nuk po ndodh për Serbinë, nuk po ndodh as për asnjë nga republikat e ish Jugosllavisë”, tha Ramush Haradinaj.

“Ne nuk i kemi thënë ‘Jo’ drejtësisë. Re të zeza kemi hequr para UNMIK-ut, unë vet e kam dorëzuar vëllain tim para një polici”, u shpreh ai.

“AAK nuk e voton këtë gjykatë dhe u bënë thirrje deputetëve që të mos e votojnë këtë gjykatë”, tha ai.

11:00

Pamje nga protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Kuvendit, të cilët po protesojnë për ta kundështuar themelimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës.

10:40

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës për amandamentimin e Kushtëtutës rreth themelimit të Gjykatës Speciale.

Në këto momente, kryeministri Isa Mustafa po bën arsyetimin e nismën për ndryshimet kushtetuese, ndërsa jashtë veteranët e UÇK-së po protestojnë kundër këtyre ndryshimeve.

Ai ftoi deputetët t’i votojnë këto ndryshime pasi që, sipas tij, ato nuk prekin Kushtetutën.

Si kryetare e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu refuzoi ta lexojë dokumentin e këtij Komisioni duke e quajtur “të turpshme” atë që ka ndodhur me këto rekomandime.

Në vend të saj, këto rekomandime po i lexon deputetja Selvije Halimi e PDK-së, në cilësinë e zëvendës kryetares së këtij komisioni.

Nga ana tjetër, përfaqësues të partive opozitare bënë thirrje që të largohen forcat policore nga mjediset e Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se sot Kuvendi gjendet para një vendimi “shumë të rëndësishëm” për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

“Ne duhet ta pastrojmë veten para atyre pretendimeve (të raportit të Dick Matyt). Ne nuk duhet të frikësohemi para askujt. Ne jemi ata që duhet ta mbrojmë luftën tonë dhe shtetin e Kosovës në mënyrë të argumentuar”, tha Grabovci.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se votimi i ndryshimeve i ndihmon zbardhjes së të vërtetës për atë që ai e quajti “luftë e drejtë” e UÇK-së.

“Duke i marrë parasysh obligimet tona shtetërore dhe duke qenë të vetëdijshëm se zbulimi i së vërtetës nuk dëmton, ne i japim mbështetje këtyre ndryshimeve”, tha Beqiri.

Por Glauk Konjufca nga Vetëvendosje kundërshtoi nismën për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Ne luftuam për liri, Serbia luftoi për pushtim. Tash me Gjykatën Speciale, krijohet përshtypja se Kosova i paska bërë krimet. Neve po na krijohet një gjykatë selektive”, tha Konjufca.

“Drejtësia është universale, jo speciale”, u shpreh ai.
“Unë për vete nuk do ta votoj këtë gjykatë sepse nuk do të kem fytyrë për t’i dalë përpara familjes Deliaj nga Abria”, tha Konjufca.
Nis Protesta Kundër Speciales

10:26

Policia është e pranishme në numër më të madh se zakonisht para ndërtesës së Kuvendit, siç mund të shihet në këtë fotografi.

10:03

Me thirrjet “UÇK, UÇK…” ka nisur protesta e veteranëve të UÇK-së kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Ndërkohë, seanca e Kuvendit ende nuk ka filluar pasi që grupet parlamentare janë në konsultime paraprake.

Përveç protestës jashtë, Lëvizja Vetëvendosje pritet që edhe brenda në seancë ta zhvillojë një “aksion simbolik” kundër Gjykatës Speciale. Zyrtarë të këtij subjekti thonë se janë duke diskutuar për hapat e mundshëm.

Safet Syla, kryetar i shoqatës së veteranëve në Shtime, i ka bërë thirrje deputetëve që ta braktisin seancën dhe të bashkohen në protestë.

09:44

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë sot para vetes një vendim të rëndë për ta marrë.

Pas shumë shtyrjeve, dosja e Gjykatës Speciale do të jetë sot në rend të ditës për debat dhe votim.

Propozimi i bërë nga qeveria e Kosovës, i dorëzuar javën e kaluar në Kuvend si informatë, ndërsa partitë opozitare e kanë kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate dhe kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në seancë.

Në vend se të jenë në ulëset e tyre në Kuvend, këto parti kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në protestën e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Protesta pritet të fillojë në të njëjtën kohë me fillimin e seancës së Kuvendit.