Gjykatës së Apelit i kanë mbetur edhe rreth 11,000 lëndë të pazgjidhura

Gjykata si Zjarrfikëse

Gjykata e Prishtinës luan rolin e “zjarrfikësit”.

Kështu e ka përkufizuar punën që e bënë Gjykata Themelore e Prishtinës, kryetari i saj Hamdi Ibrahimi.

Ai në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ është shfaqur shumë kritik për gjendjen në të cilën është lënë gjykata, duke mos hezituar të thotë se me gjykatën e tij që nga viti 2000 janë bërë vetëm eksperimente dhe asnjëherë nuk janë zgjidhur problemet.

Ai nuk ka hezituar të tregojë edhe se gjykatësit e tij më shumë kanë punë që t’i numërojnë lëndët sesa t’i zgjidhin ato.

Ibrahimi duke folur për numrin e madh të lëndëve në këtë gjykata ka thënë se kjo është pasojë e mungesës së gjykatësve.

“Kjo gjykatë e cila mbulon territorin më të madh të vendit  ka vetëm gjysmën e numrit të gjykatësve që  duhen”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, me ngarkesën që e kanë për momentin gjykatësit, ata janë shëndrruar në referentë.

“Gjykatësitë në lëndën e materies civile i kanë nga 1.600 lëndë. Kjo situatë po e shndërron gjykatësin në një zyrtar të statistikës në një referent e më së paku gjykatës”, ka thënë Ibrahimi.

I pari i gjykatës nuk ka hezituar të kritikojë mënyrën se si  kanë ecur reformat në këtë gjykatë që nga viti 2000.

“ Gjykata e ka marrë të mbrapshtën nga viti 2000 e këtej. Fatëkeqësisht me gjykatën tonë është eksperimentuar që nga viti 2000, asnjëherë nuk kemi pasur numrin e mjaftueshëm të gjykatësve”, ka thënë Ibrahimi.

Ai thekson se gjykata e tij ka më pak gjykatës sesa në vitet e 80-ta. Në një situatë të tillë, sipas Ibrahimit, gjykata e ka të papërballueshme ta kryejë funksionin e saj.

“Ne po arrijmë ta mbajmë gjykatën funksionale. Po punojmë si zjarrfikës vetëm në lëndët urgjente vetëm me masa të përkohshme”, ka thënë Ibrahimi.

Ai duke folur për  organogramin e gjykatës ka thënë se ai nuk i përgjigjet nevojave të gjykatës.

Sipas tij gjykatës i duhen së paku edhe 50 gjykatës për ta zgjidhur problemin ndërsa ka potencuar se plani i Këshillit Gjyqësor të Kosovës që në këtë gjykatë të dekretohen 22 gjykatës vetëm e zbut situatën por nuk ofron zgjidhje.

“Zgjidhja duhet të bëhet kur të bëhet një organogram i ri i gjykatës”, ka thënë Ibrahimi.

Ai tutje ka shtuar se në gjykatën e tij ka lëndë të deponuara të cilat nuk janë hapur asnjëherë.

“Ka lëndë që nuk janë prekur asnjëherë gjykatësit nuk janë marrë me këto lëndë dhe tash gjykatësit duhet të merren me to”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, këto lëndë nuk janë hapur për shkak të hezitimit të gjykatësve për t’u marrë me këto çështje të cilat janë kryesisht çështje të vërtetimit të pronësisë.

Ibrahimi ka kritikuar edhe punën e prokurorisë e cila sipas tij shumë herë po e bllokon punën e gjykatës. “Gjendja për sa i përket prezencës së prokurorëve në seancë gjyqësore është më se alarmante, Prokuroria Themelore e Prishtinës është faktor limitues i kësaj gjykate”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, asnjë ditë nuk ndodhë që prokurorët të mos mungojnë në seancat gjyqësore. “Ne i kemi shkruar KPK-së mirëpo mungesa e prokurorëve është e pajustifikueshme”, ka thënë Ibrahimi.

Në anën tjetër kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka ka pranuar se kolegët e tij vonohen dhe mungojnë në seanca mirëpo, sipas tij, kjo vjen si pasojnë e asaj që prokuroria e tij punon me 40%të stafit të nevojshëm.

“Prokuroria ka 27 prokurorë ndërsa do duhej t’i kishin 68. Ne nuk mund të kërkojmë më shumë nga prokurorët”, ka thënë Beka.

Sipas tij, prokurorët janë duke i përmbushur dy e më shumë norma, ndërsa ka pranuar se nuk po arrijnë t’i përfaqësojnë akuzat e tyre në gjykatë.

“Nuk mund t’i mbulojmë seancat. Nuk mundemi me e ba një prokuror në dy seanca nuk mundemi me e kry punën e 68 prokurorëve, 27 prokurorë”, ka thënë Beka.

Ai ka dhënë alarmin se shumë lëndë në prokurorinë e tij po lihen pas dore për shkak se nuk ka prokurorë të cilët do të merreshim me to.

 

“Nuk kemi cilësi në hetime, lëndëve të rënda po u japim rëndësi ndërsa lëndët e lehta dhe lëndët me persona të panjohur po na mbesin pas dore. Lëndët po na barten dhe vazhdimisht do na shtohet numri” ka thënë Beka.