Gjykata Pezullon Feim Salihun nga Drejtimi i Kompanisë “Pastrimi”

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë të drejtë komunës së Prishtinës në kontestin e saj me drejtorin e shkarkuar të kompanisë “Pastrimi” Feim Salihu.

Në një vendim të lëshuar tri ditë më parë, gjykata e ka pezulluar Salihun në ushtrimin e detyrës derisa të zgjidhet kontesti gjyqësor.

Duke komentuar këtë vendim, kryetari i komunës Shpend Ahmeti, tha se përveç shkarkimit të Feim Salihut nga bordi i ri, bordi i kaluar i ndërmarrjes Pastrimi në mënyrë të paligjshme ia ka vazhduar mandatin më 20 dhjetor 2013, tri javë pas fitores së Ahmetit në Prishtinë.

“Këtë e ka bërë pa konkurs dhe në kundërshtim me ligjin”, tha Ahmeti në një postim në Facebook të cilin e ka përcjellë bashkë me një kopje të vendimit të gjykatës.

“Reformat do të bëhen”, u shpreh kryetari i Prishtinës.

Pavarësisht shkarkimit, Feim Salihu kishte refuzuar tash e disa ditë që ta lirojë zyrën e tij në selinë e kompanisë.