Gjykata Kushtetuese Mungon në Komisionin ku Flitet për të

Edhe pse në Komisionin për Legjislacion u diskutua sot rreth ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, përfaqësues të kësaj gjykate nuk ishin të pranishëm.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu tha se mosprezenca e përfaqësuesve të Gjykatës Kushtetuese është papërgjegjësi ndaj Kuvendit dhe komisionit.

“Ndoshta për shkak të skandalit të fundit që doli nga Gjykata Kushtetuese që u falsifikua kuorumi në një aktvendim të gjykatës për  vazhdimin e mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, ndoshta edhe kjo është arsyeja që nuk ka dashur të ballafaqohen me komisionin apo përfaqësuesin e Avokatit të Popullit”, tha Haxhiu.

KALLXO.com-i shkroi të enjten lidhur me dyshimet e avokatit të popullit Sami Kurteshi për falsifikimin e mundshëm të pranisë së gjyqtarit të Kushtetueses Robert Carolan kur u vendos që dekreti i presidentes për vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese është i ligjshëm.

Megjithatë, në mbledhjen e komisionit erdhi avokati i popullit Sami Kurteshi që kërkoi ndryshimin e nenit 30 të Ligjit me numër 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese.

Ky nen përcakton periudhën kohore prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të çfarëdo akti ligjor, gjatë së cilës Avokati i Popullit dhe disa institucione tjera kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne kemi konsideruar se ky kufizim gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e aktit të kontestuar është joproporcional dhe në kundërshtim me përvojat e vendeve të rajonit me ngjashmëri politiko-juridike si dhe me përvojat e tjera evropiane”, tha Kurteshi.

Kurteshi kërkoi që ky kufizim të cilit përveç Avokatit të Popullit i nënshtrohen edhe deputetët, presidenti e qeveria të tërhiqet tërësisht.

Tërheqjen e kufizimit prej gjashtë muajsh Kurteshi e argumentoi me faktin se shkeljet e të drejtave të njeriut, ose kushtetutës nga ligjet e miratuara mund të vërehen edhe pas këtij afati prej gjysmë viti.

“Ne konstatojmë se Kosova ka një infrastrukturë shumë të re ligjore relativisht solide, mirëpo zbatimi i ligjeve mund të jetë i ngadalshëm. Prandaj shkeljet e mundshme të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut  mund të shpërfaqen pasi që afati për ngritjen e rasteve të kushtetutshmërisë së ligjit apo aktit normativ të ketë kaluar”, tha Kurteshi.

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj pyeti Avokatin e Popullit nëse ka ndonjë ligj që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk ka mundur të dërgohet për vlerësim kushtetutshmërie brenda gjashtë muajsh.

“Kemi raste kur kemi parë, i dimë dhe nuk kemi mundur t’i dërgojmë, sidomos është ligji për veteranët, që qysh tash ne kemi hetuar shkeljet që janë në ligj, që është kundërkushtetues, nuk mund ta dërgojmë për arsye se kanë kaluar gjashtë muaj”, tha Kurteshi.

Gjatë mbledhjes së komisionit u diskutua edhe për anëtarët e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës të cilët janë Fejzullah Hasani, Rexhep Gashi, Abdullah Aliu, Adem Bokshi, Ilaz Ramajli, Robert Muharremi,  Ivan Qykalloviq,  Asllan Bilalli, Mirlinda Batalli dhe Rafet Haxhaj.

Për ta komisioni kërkoi të dijë nëse kanë përvojë mbi 12 vjet ashtu siç kërkon ligji.