Gjykata e Apelit Hedh Poshtë Ankesën e ish-Kryeinspektorit të Minierave

Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e avokatit mbrojtës të ish-kryeinspektorit të Minierave dhe Mineraleve Nuredin Bislimit.

Nuredin Bislimi me aktgjykimin e datës 22 janar 2014 të Gjykatës Themelore në Pejë ishte dënuar me dhjetë muaj burgim, për shkak të veprës penale marrje e ryshfetit.

Bislimit ky dënim i ishte shqiptuar, pasi kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë, por megjithëkëtë Bajram Tmava , avokati mbrojtës i Nuredin Bislimit, kishte kërkuar që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim nën minimumin ligjor.

Seanca për shqyrtimin e ankesës së mbrojtjes së Bislimit në Gjykatën e Apelit ishte mbajtur më 13 tetor, ku ishin dëgjuar pretendimet e Bislimit dhe palës së dëmtuar në këtë rast Bedri Elezajt.

Gjykata e Apelit pas dëgjimit të palëve mori vendim dhe gjeti të palejuar ankesën e Bajram Tmavës, avokatit  të Nuredin Bislimit.

Bislimi ishte dënuar me burgim pasi që sipas prokurorisë ia kishte ndërprerë punimet seperacionit “Elezaj“ në Grabanicë të Klinës, e mandej nga i dëmtuari Bedri Elezaj, i cili është pronar i seperacionit kishte kërkuar shumën prej 1.000  eurosh, duke kryer veprën penale: marrje ryshfeti.