Gjeneralin Ka Kush Ta Dekorojë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e dekoroi sot komandantin në largim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, me “Urdhrin e Pavarësisë”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, si dhe zyrtarë të tjerë të FSK-së.

Presidentja Atifete Jahjaga falënderoi gjenerallejtënant Kadri Kastratin, në përfundimin e detyrës së tij si komandant i FSK-së, për përkushtimin e tij shumëvjeçar në ndërtimin e këtij institucioni shembull të Republikës së Kosovës.

Ajo tha se gjenerallejtënant Kastrati po e përmbyll këtë detyrë, duke lënë pas veten një institucion profesional, të gatshëm për të marrë përgjegjësitë që i takojnë në garantimin e sigurisë kombëtare, që ngërthen në vete vlerat dhe idealet e Republikës së Kosovës dhe aspiratën tonë për të qenë pjesë e infrastrukturës euroatlantike të sigurisë.

“Nën udhëheqjen tuaj e kemi parë FSK-në të ngritet mbi çdo sfidë, të fuqizohet dhe të kalojë barriera fizike, me shtrirjen e dorës së ndihmës secilit qytetar të Kosovës. Ju keni dhënë kontribut të çmueshëm për ndërtimin e vizionit për të ardhmen e FSK-së dhe transformimin e kësaj force në Forcat e Armatosura të Kosovës, një përgjegjësi që u mbetet ta jetësojnë pasardhësit tuaj”, tha Presidentja Jahjaga.

“Urdhri i Pavarësisë” iu nda gjeneral Kastratit për rolin dhe kontributin e dhënë në shërbim të shtetit, në forcimin dhje konsolidimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe ndërtimin e FSK-së si shtyllë e shtetit.

Gjenerali Kastrati, i cili sot ka ditën e fundit në detyrë pasi periudha e pensionimit i fillon që nga e diela, falënderoi Presidenten Jahjaga për vlerësimin për punën e tij, falënderoi ushtarët , nënoficerët dhe oficerët e FSK-së, ministrin e FSK-së, për përkrahjen e vazhdueshme për zhvillimin dhe transformimin e FSK-së.

Ministri i FSK-së, Haki Demolli, e ka propozuar Zëvendës Komandantin e deritanishëm, gjeneral Rrahman Ramën, për postin e komandantit të FSK-së.

Tani i mbetet Presidentes që të vendosë për këtë kandidaturë.