Gjelbërohet Kosova për Nder të "Ditës Ndërkombëtare të Tokës"
“Dita Ndërkombëtare e Tokës” në Kosovë po festohet me mbjellje të fidanëve. Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli mbolli një lule të llojit “Magnalja”, e cila llogaritet të jetë pema e njëmijtë brenda Kampusit të Universitetit të Prishtinës.
“Unë e mbjella sot një pemë këtu, një pemë e cila do të lulëzojë pikërisht në vendin e lulëzimit të dijes. Kjo ka qenë edhe simbolika e kësaj. Le të jetë kjo ditë e senzibilizimit për të gjithë ne kosovarëve që të kemi një ambient më të mirë, më të shëndoshë, veçanërisht kur kemi një ambient të njerëzve shumë të shëndetshëm edhe shumë të ngritur”, tha Veseli.
Ai porositi studentët që t’i përkushtohen dijes, sepse ka nevojë vendi për ta.
“Le të mësojnë sa më shumë për arsye se edhe në momentet shumë të shpejta e kemi procesin e integrimeve evropiane, më së shumti është kjo kategori e cila na duhet ne për me ec vendin tonë përpara”, shtoi Veseli.
Për më tepër, shënimi i Ditës së Tokës, mori përmasa globale qysh në vitin 1970 më ç’rast në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u mbajt një manifestim i madh mjedisor me qëllim të mbrojtjes së pasurive të tokës nga ndotja.