
Gjashtë ish-Punonjës të Bankës BpB Mbrohen në Heshtje
Vetëm dy nga tetë të akuzuarit për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme do ta paraqesin mbrojtjen.
Gjashtë nga tetë të akuzuarit e këtij procesi vendosën të mbrohen në heshtje pas konsultimeve me mbrojtësit e tyre.
Këtë e bënë pasi trupi gjykues sot kishte paraparë që të akuzuarit ta paraqesin mbrojtjen e tyre.
Në fillim të kësaj seance, avokati Bajram Tmava, mbrojtësi i Nazmi Mustafës, tha se “sugjerimi për të mbrojturin tim është që të mbrohet në heshtjë”. Me këtë u pajtua edhe i akuzuari Mustafa.
Avokati Mexhid Syla kërkoi nga trupi gjykues një pauzë dhjetëminutëshe që të konsultohen mbrojtësit dhe të akuzuarit se a do të mbrohen edhe ata në heshtje.
Pas këtij konsultimi, Nail Reshiti, Skender Blakçori, Ismet Brajshori, Islam Zeka dhe Pashk Bala, ashtu si edhe Nazmi Mustafa, vendosen të mbrohen në heshtje, ndërsa të akuzuarit Serafedin Zhitia dhe Zylfi Arifaj vendosën të mos heshtin, por ta paraqesin mbrojtjen e tyre para trupit gjykues.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të tij, Serafedin Zhitia deklaroi se Bordi i Bankës “BpB” kishte marrë vendim që disa klientëve t`u mundësohet marrja e huave derisa të mbërrinin paratë në llogaritë e tyre.
Në gjykatore, Zhitia nuk pranoi se i kishte thënë dikujt që të lëshonte cisternat e “Marash Oil-it” ose ndonjë firme tjetër pa paguar.
“Unë nuk i kam thënë askujt që të lëshojë cisternat e ‘Marash Oil’. Nëse e kisha dashur këtë e kisha bërë vetë,” tha Serafedin Zhitia.
Megjithatë, Zhitia e pranoi banka BpB kishte pasur klientë siç i quajti ai me prioritet, një prej të cilëve kishte qenë edhe “Marash Oil”, sipas Zhitisë me qarkullim vjetor prej rreth 30 milionë eurosh
Prokuroria ngarkon të akuzuarit se duke punuar në Bankën “BpB” kanë dhënë kredi në emër të disa bizneseve, ndërsa këto kredi nuk ishin shfrytëzuar nga biznesmenët në emër të të cilëve janë marrë.
Gjithashtu, sipas prokurorisë, filiali i kësaj banke në Pikën Kufitare të Vërmicës kishte bërë marrëveshje me disa klientë të BpB-së që nëse nuk kanë para për t’ua paguar doganën mallrave që sillnin përmes kësaj pike, banka do t’ua paguante zhdoganimin.
Nazmi Mustafa, Nail Reshiti, Skender Blakçori, Ismet Brajshori, Islam Zeka, Serafedin Zhitia, Zylfi Arifaj dhe Pashk Bala akuzohen për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme.
Në seancën e ardhshme që u caktua për 3 dhjetor të këtij viti, mbrojtjen do ta paraqesë i akuzuari Zylfi Arifaj.