Gjakovë, Shoqëria Civile Kritikon Institucionet mbi Migrimin Ilegal

Iniciativa për progres dhe Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, organizuan sot në Gjakovë një diskutim publik për gjendjen aktuale me fokus në migrimin ilegal të kohëve të fundit.

Në këtë diskutim, një sërë kritikash u adresuan nga të pranishmit ndaj institucioneve të Kosovës mbi situatën e migrimit ilegal.

Pjesëtarë të shoqërisë civile, qytetarë, student, ishin të ftuar për bashkëbisedim me synim të analizës së shkaqeve të këtij migrimi por dhe strategjive dalëse nga kjo situatë.

Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES) Prishtina është duke realizuar një hulumtim cilësor për shkaqet e migrimit dhe profilin e migrantëve.

Besa Luzha nga FES tha për Kallxo.com se janë përpjekur që të bëjnë diçka e cila do të hedh dritë në mundësin e zgjidhjeve që do të bëhen për këtë problem.

“Të mundohemi që nga analizat tona të ju japim rekomandime institucioneve tona, nëse njerëzit ankohen për sistemin shëndetësor, atëherë të vihet vëmendja në reformimin e ati sistemi sepse mënyra se si e kanë trajtuar institucionet migrimin ka qenë injoruese ndaj atyre personave”, tha Luzha.

Institucionet e vendit nuk kanë dhënë alternativa për të ndalur migrimin ilegal sipas Bislim Hotit, përfaqësues i komunitetit Romë Ashkali Egjiptas (RAE).

“Pa pikë turpi, nuk e kanë elaburu mënyrën se si duhet të ndalet kjo gamë e njerëzve të cilët po e lëshojnë Kosovën por gjithmonë deklaratat e tyre kanë qenë mos largohi se po e dëmtojmë liberalizimin e vizave”, tha ai

Sipas Hotit, diccka e tillë nuk ka të bëjë aspak me realitetin sepse duhet pasur parasysh që edhe Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia kanë liberalizim të vizave por numri i emigrantëve ilegalë deri në muajin dhjetor ka qenë shumë më i madh se ai i Kosovës që nuk gëzon liberalizim.”

Dukagjin Gorani, përfaqësues i shoqërisë civile në Pejë, tha për Kallxo.com se arsyet e ikjes janë të shumta. “Arsyet janë të mëdha, ndoshta nuk ikin për arsyet që i kanë sot, por të shumtët ikin për arsyet të cilat mund të dalin nesër. Ikja këtu është shenjë e mungesës së ardhmënisë dhe këto ikje veç sa e përkeqësojnë situatën sociale”, tha më tej Gorani.