Gjakova Çon Qentë Endacakë në Strehimoren e Rahovecit

Komuna e Gjakovës ka nisur të zë qentë e saj endacakë për t’i dërguar në strehimoren për qen dhe mace në fshatin Nagavc të Rahovecit, pas një marrëveshje me këtë qendër strehuese. Ajo planifikon edhe ta ndërtojë një qendër të tillë të veten, për të cilën aktualisht e ka projektin. Aksioni do të zgjasë një muaj, ndërsa është pritur mirë nga qytetarët.

Komuna e Gjakovës ka nisur aksionin e kapjes së qenve të rrugës për t’i dërguar ata pastaj në Strehimoren e Qenve dhe Maceve Endacake të Kosovës Jugore në Rahovec. Për këtë zyrtarë komunalë janë marrë vesh me përfaqësues të strehimores.

“Ky aksion do të vazhdojë gjatë tërë muajit korrik, do të thotë kohë pas kohe do të dalin ekipe të organizuara për mbledhjen e qenve”, thotë Ali Tafarshiku, zëdhënës i Komunës, teksa shton se një veprim i tillë po bëhet për sigurinë e gjakovarëve.

“[Aksioni] do të lehtësojë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, dhe po ashtu  është bërë me qëllim edhe të bashkatdhetarëve, pasi që fluksi këto ditë po rritet, të ju krijojmë një ambient të sigurt dhe të parrezikuar prej qenve endacakë”, tha Tafarshiku.

Qytetari Bujar Guta që thotë të ketë pasur problem me qen endacakë, dëshiron që ata sa më shpejt të largohen nga rrugët e qytetit, por dyshon se përsëri rrugët do të mbushen me kafshë të tilla.

“Kemi digju që qentë do t’i marrin e mos t’i vrasin.  Përpara i kanë eliminu, ka pasë njerëz që i kanë eliminu dhe i kanë eliminu ka ora pesë në mëngjes. Unë e pranoj këtë situatë çfarë jemi, mirëpo dëshiroj që sa më shpejt t’i largojnë këta qenë”, tha ai.

Por veterinarja holandeze Bearki bron që ka ardhur në Kosovë që tri javë për t’u marrë me qentë endacakë thotë se kapja dhe sterilizimi i qenve është metodë më e mirë se vrasja e tyre.

“Është veprim shumë i mirë vetëm për t’i kapur qentë endacakë, për t’i sterilizuar e kastruar ata dhe për të reduktuar numrin e tyre në rrugë”, thotë ajo.

Strehimorja në Rahovec ku do të dërgohen edhe qentë endacakë të Gjakovës mban brenda hapësirave të saj 1 mijë qen nga pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Kemi fillu bashkëpunimin edhe me Komunën e Gjakovës dhe mendojnë që brenda një jave me i kapë më shumë se 100 qen, për t’i strehuar në strehimoren në Nagavc”, thotë Nezir Krasniqi, punëtor në vendin ku grumbullohen dhe jetojnë qentë e larguar nga rruga.

Ai tregon rezultatet e punës së qendrës.

“Për një vit strehimorja jonë i ka sterilizu së paku një mijë qen dhe prej atyre 1 mijëve janë diku rreth 700 femra dhe tuj e ditë se një qen femër lind pesë qen për një lindje dy herë në vit, që i bie 7 mijë qen më pak në rrugë”, shpjegon ai.

Sipas zëdhënësit Tafarshiku, Gjakova planifikon ta ndërtojë strehimoren e saj për kafshët endacake.

‘[Projekti] i strehimores për qentë endacakë e cila është dorëzuar në ambasadën zvicerane dhe atë amerikane dhe pret trajtimin e dytë konkret dhe jemi në pritje të përgjigjes së shpejtë për financimin e kësaj qendreje e cila do të jetë qendër me kushte bashkëkohore”, thotë Tafarshiku.

Sipas tij kapja e qenve endacakë do të bëhet në ato pika të qytetit ku ata qëndrojnë më shumë.