FSK Ruan Digën në Afërsi të Kavajës

Njësitë e kërkim- shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë duke kryer misionin e tyre në afërsi të Kavajës së Shqipërisë, pasi janë dërguar tri ditë më parë për t’u dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet e fundit.

Ndihma e ofruar nga FSK është mirëpritur nga ushtria shqiptare, ndërsa FSK është dislokuar në digën në fshatin Merkuras të Kavajës, një pikë e ndjeshme në situatë vërshimesh.

Atasheu ushtarak i Shqipërisë në Kosovë, kolonel Fiqri Hoxha, ka vizituar efektivat e FSK-së dhe ka falënderuar FSK-në, si dhe popullin e Kosovës, për ndihmën që po japin në këto raste të vështira.

Kolonel Hoxha tha se bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Ministrisë së FSK-së është i kahershëm dhe kjo është bazuar në bazë të Marrëveshjes në kuadër të bashkëpunimit që kemi në të gjitha fushat përfshirë edhe fushën e emergjencave civile.

Ndërsa, nënkoloneli Enver Dugolli, atashe i Kosovës në Tiranë, tha se gatishmëria e FSK-së është t’u gjendet autoriteteve shqiptare dhe popullatës edhe me ekipe shtesë të FSK-së.

“Por tani për tani autoritet shqiptare e kanë parë të arsyeshme që të veprohet në këtë digë, sepse konsiderohet se është pikë më e ndjeshme dhe pjesëtarët tanë të specializuar janë angazhuar me vënien në funksion të pompave, me qëllim të uljes, sado pak të nivelit të ujit në digë”, tha Dugolli.