Franca u Konfiskon Pasaportat Vullnetarëve të Xhihadit

Gjashtë qytetarëve francezë u janë konfiskuar pasaportat dhe 40 të tjerëve do t’u ndalohet të largohen nga vendi në një përpjekje për t’i ndaluar rekrutimet e xhihadistëve nga Evropa që planifikojnë të udhëtojnë për në Siri dhe Irak, raporton AFP.

Kjo është hera e parë që Franca e ka aplikuar këtë masë që nga futja e saj si pjesë e një sërë ligjesh të reja kundër-terrorizmit që hynë në fuqi në nëntor.

“Nëse qytetarët francezë shkojnë për të kryer sulme në Irak apo në Siri, pas kthimit të tyre ata do të paraqesin një rrezik edhe më të madh për të kryer sulme në shkallë edhe m ë  të gjerë terroriste në territorin kombëtar,” tha ministri i brendshëm Bernard Cazeneuve.

“Aktualisht janë gjashtë ndalesa administrative për t’u larguar nga vendi që tashmë janë nënshkruar, dhe rreth 40 që janë duke u përgatitur,” shtoi ai.

Pasaportat dhe kartat e identitetit e atyre që janë në shënjestër fillimisht konfiskohen për gjashtë muaj, dhe pas kalimit të këtij afati urdhri mund të rinovohet.

Përpjekjet e tilla janë duke u bërë në të gjithë Evropën pasi qindra qytetarë kanë udhëtuar në Lindjen e Mesme për t’u bashkuar me grupet xhihadiste si ISIS dhe Al-Qaeda, dhe Al Nusra në vitet e fundit.

Rreth 1.400 qytetarë që jetojnë në Francë janë bashkuar me xhihadistët në Siri dhe Irak apo janë duke planifikuar për të bërë këtë, tha Kryeministri Manuel Valls, muajin e kaluar.