Flet Personi që Thotë se Mblodhi Paratë Për Gjyqtarin Francesko Florit

Florim Asani, vëllai i Besnik Asanit që gjendet në burg për vuajtjen e dënimit prej 33 vjet, për vrasje të trefishtë në vitin 2007 në afërsi të Kaçanikut, te Ura e Lepencit, dëshmon se si i kishte mbledhur paratë për t’ia dhënë gjyqtarit të EULEX-it, Francesko Florit për t’i liruar tre të akuzuarit, Nysret Cena, Besnik Asani dhe Shpend Qerimi.

Në marrëveshjen për dhënien e parave, Florimi i përfshin edhe avokatët Mahmut Halimi e Azem Vllasi.

“Paratë m’i ka kërkuar Francesko Florit që i kemi mbledhë për Nysret Cenën, përmes avokatit Mahmut Halimi. Për m’u kry kjo punë, për m’i liru këta djemtë prej akuzës i don nga 10 mijë euro për me ia hjek 1 vit. Ne i kemi mbledhë 270 mijë euro ende pa u liruar Nysret Cena prej burgut”, thotë Florimi në një intervistë për “Jeta në Kosovë”.

Si dëshmi për grumbullimin e parave, Florimi thotë se vetë ai i ka dhënë 50 mijë euro.

“Unë i kam dhanë 50 mijë euro, Nysret Cena ka mbledhë, krejt kanë dhanë. Prej Arsim Kolshit i ka marrë diku 50 mijë euro. Arsim Kolshi i ka dhanë për m’u liru djemtë – Nysret Cenën, Besnikun dhe për Shpendin”.

Ai thotë se lidhja e Arsim Kolshit dhe e Nysret Cenës është se janë të involvuar bashkë në krim. Florimi thotë se paratë shkuan për gjyqtarin Francesko Florit.

“Nysret Cena ka qenë i akuzuari i parë për vrasjen e trefishtë dhe Afet Dolloshi, Agron Dolloshi, janë marrë në pyetje të nesërmen dhe janë liruar prej krejt akuzave. Atë punë e ka bërë vetëm Francesko Florit, i ka marrë paratë dhe e ka liruar Cenën”.

Florimi tregon për takimin e avokatit Mahmut Halimi dhe gjyqtarin e EULEX-it, Francesko Florit, në Durrës të Shqipërisë. Si dëshmi ai thotë se ka shkuar bashkë me avokatin.

“Unë e kam pa Francesko Florit kur e ka prit avokatin Mahmuta Halimi në Durrës, te terminalet e anijeve. Paratë nuk e kam pa tu ia dhanë. Takimi është zhvilluar për katër orë, kanë hip në anije dhe e kam pritur Mahmut Halimin prapë kur është kthy, dhe ka ardhë me mu për Kosovë”, thotë Florim Asani

Ai thotë se Afet Cena, vëllai i Nysret Cenës, ia ka dorëzuar paratë Francesko Florit. Sipas tij, pas dhënies së parave, në gjykim është liruar vetëm Nysret Cena.

Florimi e përfshin edhe avokatin Azem Vllasi në lirimin e Nysret Cenës.

“Azem Vllasi ka pasur gjithherë kontakte me Francesko Florit. Nuk e di sa i kujtohet Maria Bamieh (prokurore e EULEX-it) se kur është marrë vendimi për mu dënu Besniku, Shpendi dhe Nysret Cena, në mes të sallës në Dubravë, Azem Vllasi e ka marrë një zarf nga xhepi i vet dhe ia dërgon Francesko Florit para nesh”.

Pavarësisht që i kishte dhënë paratë, vëllai i Florimit, Besnik Asani, ende mbetet në burg duke e vuajtur dënimin.

Besnik Asani dhe Shpend Qerimi janë në vuajtje të dënimit prej 33 vjetësh, me arsyetimin për vrasje të trefishtë në vitin 2007, në afërsi të Kaçanikut, te Ura e Lepencit. Me këtë rast, mbetën të vrarë Urim Baftiu (16 vjeçar), Sylejman Baftiu (17 vjeçar) dhe Neshat Baftiut (28-vjeçar), kurse kishte mbijetuar i plagosur me 11 plumba Bujar Baftiu.

Familjarët e të vrarëve kërkojnë rigjykim

I mbijetuari nga kjo ngjarje, Bujar Baftiu, thotë se në gjykimin e vrasjes së trefishtë, prej të cilës mbijetoi, nuk ka pasur drejtësi.

“Drejtësi nuk ka pasur, drejtësia ka qenë e përgjysmuar prej fillimit e deri në mbarim. Megjithëse, ne si viktima jemi barazuar me kriminelin në sallë të gjyqit. Shpresën e kemi pasur më të madhe kur EULEX-i ka ardhur në Kosovë, se do ta thotë të vërtetën. Por, jo”, tha Bujari.

Arbeni Baftiu, vëllai i të vrarit Sylejman Baftiu, thotë se, pavarësisht se u dënuar dy persona për vrasjen e trefishtë, gjysma e atyre që kanë pasur dorë në këtë punë, janë në liri.

“Në atë gjykim ka pasur edhe të akuzuar tjerë. Mirëpo, gjykata e shkallës së tretë i ka liruar të akuzuarit tjerë dhe epilogu i kësaj mbaroi me dy të dënuarit”, thotë Arbeni. “Sidomos kohëve të fundit ka fakte shtesë, kështu që, kërkojmë drejtësi prej organeve vendëse dhe asaj ndërkombëtare”.

Ai thotë se e ka dorëzuar një kërkesë zyrtare në EULEX, të cilës i kërkon rigjykim dhe provat shtesë të prokurores Maria Bamieh të merren parasysh.

Rigjykim të rastit, kërkon edhe Menduh Baftiu, babai i të vrarit 16-vjeçar, Urim Baftiu.

“Ne po kërkojmë ta hapim këtë rast, sepse e kemi vërejtur se është bërë një padrejtësi shumë e madhe”, tha Menduhu.

Ai thotë se nuk është i kënaqur me gjykimin që është bërë. Madje, ai thotë se shumë pak është i kënaqur edhe me punën e EULEX-it që ka bërë në këtë rast. Sipas tij, jo të gjithë ata që janë fajtorë për këto vrasje janë në burg. Gjysma e tyre, sipas Menduhut, sillen të lirë në qytetin e Kaçanikut.