Flejnë Para Komunës së Pejës-Një Qytetar i Merr në Shtëpi

Nerxhivane Rakoci  nga Peja ka njëzet vjet që me djalin e saj tashmë 21 vjeçar kërkon ndihmë dhe strehim, duke jetuar herë nëpër shtëpi me qira e herë në rrugë.

Vetëm tri javë më parë për të dhe djalin e saj Denin shpresat për të pasur një kulm mbi kokë ishin shuar, pasi shtëpinë ku rrinin me qira u desh ta lëshonin, ngase nuk kishin mundësi për të paguar më qiranë.

Ata mbetën rrugëve duke i bërë ballë të ftohtit që mbretëronte gjatë atyre ditëve në Pejë, duke jetuar vetëm nga të ardhurat e skemës sociale.

“Ish ftohtë, më ndodhke që me 40 centë ja blejsha një kifle djalit. Ndonjëherë më qëllojke më shumë, e blejsha një pashtetë e hajshim rrugëve afër ndonjë shtëpie mos me na pa dikush,” shprehet ajo.  

Ajo tregon se nga halli iu drejtua edhe Policisë së Pejës e cila nuk mundi ta ndihmojë, por ia dha një propozim se ku të kërkonte ndihmë.

“Një polic më ka thanë shko deri në kishë i kanë disa dhoma. Jemi ngjitë me djalin përpjetë, aty nuk kish rrymë, asgjë nuk u dëgjojke nga gjeneratori. Një djalë kaloi andej e pyeti o Deni çka jeni dalë kështu. Tha qeshtu kemi mbetë në rrugë,” tregon hallet Nerxhivane Rakoci.

Pas kësaj nënë e bir kaluan natën para Komunës së Pejës pasi që vetëm aty ndiheshin më të sigurt.

Por atëherë kur më së paku e prisnin, dikush kishte kuptuar për gjendjen e tyre dhe kishte shprehur dëshirë për t’i ndihmuar.

Qytetari Sadik Shala nga Peja së bashku me gruan e tij i morën në shtëpi duke u siguruar ushqim dhe kulm mbi kokë.

Shala tregon se koha e ftohtë e atyre ditëve ka bërë që ai të mos i lërë në rrugë.

“Kur kanë ardhë atë ditë këtu, kanë qenë të shtangur prej ftohtit. Ishin mërdhi, ua kemi ndezë zjarmin.  Brenda mundësive kam bërë, se edhe une pasuri të madhe nuk kam veç me u bo solidarë me ata. Pastaj e kemi vazhduar jetën bashkë, gruaja ua ka mundësuar dhomat e nxehta se atë natë ka qenë shumë ftohtë,” tregon për bamirësinë Shala.

I sëmurë niset për Hungari-ua lë nënën amanet bamirësve

Por atëhere kur Nerxhivanja mendoi se u rehatua, një tjetër problem i doli përballë. Djali i saj Deni të shtunën e kaluar mori rrugën për në Beograd pa e ditur saktësisht se ku do të shkojë.

Nerxhivanja tregon se djali e ka telefonuar për t’i treguar se po e lëshon Kosovën, por nuk di asgjë më shumë, madje thotë se nuk ka njohuri as me kë është nisur.

“Në telefon tha: nanë natën e mirë se unë shkova, mos ki dert se edhe ty do të marr. Kur është bërë ora një e ka thirrë pronarin këtu ku banojmë, i ka thanë axha Sadik unë i kalova të dy kufijtë, tash po nisem për rrugë, amanet kqyre nanen,” përshkruan hallin tjetër zonja Rakoci.

Ajo ankohet se djali i saj është i sëmurë, ndërsa nuk i ka marrë as barnat me vete. Thotë se edhe para ka pak.

Gruaja që përjetoi mirësinë e një familjeje të Pejës, nuk e pati këtë fat kur kërkoi ndihmë në komunë. Komuna nuk i ndihmoi asnjëherë konkretisht.

Këtë gjë e konfirmon për KALLXO.com edhe nënkryetari i Komunës së Pejës, Shkumbin Gashi.

“Është e vërtetë që ajo nuk ka shtëpi apo pronë të saj personale dhe në momentin që nuk ka pronë një familje, ne nuk mund t’i ndihmojmë me mjete materiale ,“ u shpreh ai.

Shkumbin Gashi thotë se për t’ia paguar qiranë zonjës Rakoci, ajo duhet ta prezentojë një kontratë të qiradhënies, ndërsa premton se komuna do të shikojë mundësinë e ofrimit të strehimit për të.

“Realisht ne do të mundohemi që ta zgjidhim këtë problem, i kemi disa banesa që janë si banesa sociale të cilat i lëshon Kuvendi Komunal, Drejtoria e Mirëqenies Sociale që është ne sektorin e Shëndetësisë dhe AKP-ja. Shpresojmë që do ta zgjidhim këtë problem vetëm se na duhet një kërkesë zyrtarisht në Komunën e Pejës,” u shpreh nënkryetari Gashi.

Por në pritje të ndihmës së komunës, Nerxhivane Rakoci vazhdon të jetojë në shtëpinë e bamirësit Sadik Shala, duke mos ditur asgjë për fatin e djalit.