Flasin për Orë Tmerri të Ngujuarit nga Protesta

Gjatë protestës së djeshme përleshjet në mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës shqetësuan qytetarët si dhe shkaktuan dëme të ndryshme materiale.

Protestuesit kanë hequr kubëzat dhe vazot e rrugëve të shesheve ku dje ndodhi protesta për të sulmuar policinë dhe për t’u mbrojtur nga ta.

Lokali “Beneton” në Sheshin “Skënderbeu” llogaritet të jetë më i dëmtuari nga kjo protestë.

Këtij lokali i janë thyer disa xhama si dhe punëtorët e saj kanë përjetuar të gjithë tmerrin e gjendjes së djeshme.

Ata nuk kanë mundur që të shkojnë në shtëpi deri në orën 15:00 kur edhe me ndihmën e policisë kanë dalë nga lokali për në shtëpitë e tyre.

Drejtori i përgjithshëm i Lokalit “Beneton”, Dashmir Selmani u shpreh se e mira e gjithë kësaj është se nuk kemi pasur dëme në njërëz përveç tmerrit që punëtorët kanë përjetuar dje.

“Na janë thyer disa xhama, mirëpo fati që protestuesit nuk kanë arritur të hyjnë brenda. E punëtorët me ndihmën e daljes emergjente kanë shpëtuar disi,” rrëfen Selmani.

Tmerrin e përjetuar në ditën e protestës e tregoi edhe Burim Latifi, punëtor në Restorantin “Union” që ndodhet në të njëjtin objekt me lokalin “Beneton”

“Një koleges sonë i ka rënë të fikët nga zhurma dhe tmerri që ka qenë këtu dje në protestë. Kemi qëndruar disa orë në bodrumin e lokalit ku edhe na u ndal rryma,” u shpreh Burim Latifi.

E qytetari Fehmi Ymeri tha se i shpëtoi luftës, ndërsa dje u ndie i rrezikuar

“Ndihem i dëmtuar emocionalisht meqë nuk ma kish marrë mendja se prej popullit tim nuk kam me shpëtu, meqë prej serbëve shpëtova,” tha Ymeri.

Ndërsa një qytetar nga lagjja “Ulpiana” tregon se ishte duke ngrënë darkë me familjen e tij kur kishtë dëgjuar disa zëra e krisma.

Ai kishte dalë te hyrja e banesës për të shikuar se çfarë është duke ndodhur, ndërsa tregoi se kishte parë dy policë duke rrahur në mënyrë brutale dy të rinj.

“Nga tmerri që pamë e dëgjuam, jam detyruar që gruan dhe djalin t’i dërgoj në emergjencë meqë iu ra të fikët,” përfundoi ai.

Nga trazirat është dëmtuar rëndë edhe semafori në hyrje të Sheshit “Zahir Pajaziti”.

Përveç pastrimit të mbrëmshëm të rrugëve ku u zhvillua protesta, edhe sot kompanitë e pastrimit kanë vazhduar të largojnë gurët, vazot e gjësendet tjera të përdorura gjatë protestës.

Fatos Ismajli & Besa Maliqi