Fjolla Morina, Dëshmitarja e Radhës për Enver Sekiraqën

Trupi Gjykues në rastin Sekiraqa kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes që në këtë rast, si dëshmitar të ftohet polici hetues Mehdi Kozhani dhe këngëtarja Fjolla Morina, të cilët në cilësi të dëshmitarit do të dëshmojnë të hënën.

Në seancën e sotme, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes dëshmoi Astrit Dibra. Por para se Dibra të fillojë dëshminë e tij, prokurori i rastit Andrew Carney, kundërshtoi këtë dëshmi.

“Ky dëshmitar është propozuar për qëllimin e njëjtë sikur dëshmitari i djeshëm, e që është sulmi i karakterit të Triumf Rizës, lidhur me një ngjarje në të kaluarën që ka ndodhur në nëntor të vitit 2003”, tha Carney.

Ky kundërshtim i prokurorit ndaj dëshmisë së mbrojtjes nuk u prit mirë nga mbrojtja e Sekiraqës, të cilët përmes avokatit Bostjan Penko, shprehën habinë lidhur me kundërshtimin e prokurorit.

“Kjo parashtesë nga ana e prokurorit është pak e befasishme, ne i kemi paraqitur këto fakte qysh në nëntor të vitit 2014, së bashku me dëshmitë e tjera që i kemi propozuar në atë kohë, dhe ne kemi dhënë qëllimin e qartë shpjegimin e relevanancës së thirrjes së këtij dëshmitari, dhe në raport me atë të çka duam të dëshmojnë ka edhe dëshmitarë të tjerë të cilët do të dëshmojnë lidhur me rrethanat e njëjta dhe njëri prej tyre ka dëshmuar dje dhe dëshmia e tij është pranuar”, tha Penko.

Trupi Gjykues pas këtyre propozimeve dhe pas një pauze prej 25 minutash mori vendosi që dëshmitari të dëgjohet.

Në pyetjet e avokatit Penko, dëshmitari Dibra deklaroi se ka pas një konflikt me tani të ndjerin, Triumf Riza.

“Po ka ndodhur para dhjetë viteve, unë kam folur me një shoqe të tij, dhe ai ja ka marrë telefonin asaj dhe dëshironte të më takonte, unë nuk e kam njohur dhe se kisha parë më parë, dhe jemi takuar te qendra tregtare në Breg të Diellit, ai ka ardhur me dy djem të tjerë dhe vëllain e tij dhe kur jemi takuar unë nuk e kam ditur se do të bëhet një problem, ai më ka goditur”, tha Dibra.

Prokurori i rastit, dëshmitarin, në lidhje me po këtë rast e ballafaqoi me dëshminë e vajzës së përmendur, dhënë në polici, e gjatë së cilës e kishte konfirmuar se i kishte telefonuar një djalë për një kohë të gjatë dhe në kohën sa ishte me Triumfin, prapë i kishte telefonuar dhe Triumfi e kishte kapur telefonin e saj dhe ishte përgjigjur dhe i njëjti e kishte sharë Triumfin, thuhej në deklaratën e vajzës dhënë në polici.

“Po e kam thirr pa e ditur që është femra e Triumfit, mirëpo nuk e kam kërcënuar dhe nuk kam përdorur fjalë fyese ndaj saj”, tha Dibra.

Lidhur me materialet e dorëzuara nga prokurori në seancën e sotme, avokatja e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi, tha se në shkresat e lëndës do të gjeni se ekziston kallëzimi penal dhe aktgjykimi i Gjykatës për kundërvajtje sipas të cilit Riza ishte gjetur fajtor.

“Nga materiali që na dorëzoi prokurori sot përveç procedurës disiplinore, që thirret prokurori, dhe thotë se nuk është përgjigjur, në këtë dosje do të gjeni edhe kallëzimin penal dhe vendimin e gjykatës me të cilin i ndjeri Riza është shpallur fajtor ”, tha Kelmendi.

Seanca e radhës vazhdon të hënën dhe do të dëshmojnë, Fjolla Morina dhe Mehdi Kozhani.